Masakra shkaktoi protesta në të gjithë botën, duke përqëndruar vëmendjen në mizoritë e Kinës

Shpresa për një “Kinë të lirë” është ekspozita e cila është hapur në New York kushtuar shtypjes së demonstratave pro-demokracisë nga Kina në vitin 1989 në sheshin Tiananmen. Muzeu përkujtimor i 4 Qershorit në New York, do të jetë e vetmja ekspozitë e tillë. Një muze i ngjashëm u hap në Hong Kong në vitin 2021, por u mbyll nën presionin e autoriteteve.

Muzeu i vogël i New Yorkut, i vendosur në një hapësirë ​​​​të ngushtë zyre në katin e katërt të një ndërtese zyrash në Avenue 6, përfshin artikuj nga ngjarjet që ndodhën në sheshin e Tiananmenit, duke përfshirë pankarta, letra, këmishë të njollosur me gjak, si dhe foto dhe artikuj të detajuar.

Zhou Fengsuo, 55 vjeç, një ish-student që udhëhoqi protestat në Tiananmen ndihmoi në hapjen e ekspozitës, shprehet se objektet mbartin një histori shumë të veçantë.

“Kjo tendë ishte një nga tendat e shumta të dhuruara nga njerëzit e Hong Kongut për studentët në sheshin Tiananmen, dhe kjo u përdor nga disa studentë nga Xi’an, në qytetit tim të lindjes. Ata kaluan rreth katër ditë atje përpara se të evakuoheshin kur tanket u futën brenda. Ndërsa kjo është një këmishë e njollosur me gjak që u përdor për të fashuar plagën e një studenti kur u qëllua në sheshin Tiananmen ndërsa po largohej.”

Tanke u vendosën në sheshin e Pekinit para agimit të 4 Qershorit 1989, për t’i dhënë fund protestave të studentëve dhe punëtorëve. Lëvizja pro-demokratike Tiananmen e vitit 1989 doli në shesh për të protestuar kundër korrupsionit, duke tërhequr mbështetës të shumtë që kërkonin demokraci. Por ajo përfundoi në një masakër.

Kina nuk ka raportuar sesa humbën jetën në masakrën e vitit 1989, por grupet e të drejtave dhe dëshmitarët thonë se në atë shesh kanë humbur jetën dhjetra mijëra studentë. Përkujtimi i 4 Qershorit në Kinën kontinentale është tabu dhe Pekini ka rritur censurën vitet e fundit.

Masakra shkaktoi protesta në të gjithë botën, duke përqendruar vëmendjen e botës në mizoritë e Kinës për të drejtat e njeriut. Por dekada me rradhë pasi udhëheqësit kinezë urdhëruan sulmin ushtarak, aktivistët e të drejtave kanë argumentuar se shtypja e qeverisë i ka shtyrë qëllimet origjinale të demonstruesve, të cilat përfshijnë lirinë e fjalës.

“New York është shumë i madh dhe ne duam të tërheqim më shumë vizitorë për të vizituar ekspozitën tonë. Kjo është arsyeja pse ne zgjodhëm këtë. Mendoj se me këtë ekspozitë duam që bota të kuptoj fytyrën e vërtetë të Partia Komuniste Kineze dhe se çfarë ndodhi në atë vit të përgjakshëm. Prandaj kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne, jo vetëm për kujtesën jonë, por është për politikën e sotme, për qytetërimin e sotëm.”

“Aleanca”, një grup që dikur organizoi demostratën e 4 Qershorit në Hong Kong u shpërbë në 2021 pasi drejtuesit e saj u arrestuan me akuza për sigurinë kombëtare. Kina vendosi një ligj të sigurisë kombëtare në Hong Kong në Qershor 2020, duke dënuar aktet e përmbysjes, terrorizmit dhe bashkëpunimit me forcat e huaja me burgim të përjetshëm.

Wang Dan që ndihmoi në krijimin e muzeut jep gjithashtu edhe një mesazh për protestuesit që vdiqën në sheshin e Tiananmenit.

“Ajo që do të them është shumë e thjeshtë: mos falni, mos u dorëzoni. Ky është mesazhi im për popullin kinez dhe për njerëzit perëndimorë, siç them unë. Ju duhet të njihni fytyrën e vërtetë të Partisë Komuniste Kineze. Ata po e qeverisin vendin vetëm me dhunë, me gënjeshtra. Ky është mesazhi im.”

Aktivitete të tjera përkujtimore të 4 Qershorit janë planifikuar ndërkombëtarisht, me aktivistë jashtë shtetit që ndihmojnë në organizimin e ngjarjeve në qytete, duke përfshirë Taipei, Londër, Berlin dhe Uashington.

Klan News