Përfitime deri 350 milionë dollarë për buxhetin

Shteti federal amerikan i Nju Jorkut është pranë legalizimit të marijuanës. Ligjvënësit njujorkezë arritën një marrëveshje të gjerë për projektligjin e ri që legalizon këtë drogë për qëllime çlodhjeje.

Projektligji parashikon që marijuanën në kohë të lirë mund ta përdorin të gjithë të rriturit mbi 21 vjeç. Në çdo familje mund të mbillen deri në 6 rrënjë, ndërsa individëve u lejohet jo më shumë se 3 të tilla. Megjithatë, nëse dikush kapet me më shumë se 85 gramë jashtë shtëpisë, qëndrojë në fuqi penalitetet aktuale me të cilat dënohen edhe me burg. Dënohen po ashtu edhe personat që drejtojnë automjetet nën efektin e kësaj droge, për të cilën pritet të zhvillohen teste të posaçme.

Projektligji do të dërgohet në parlamentin e Nju Jorkut jo më herët se java tjetër dhe nëse miratohet do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. Lejimi i përdorimit të marijuanës për çlodhje parashikohet të hapë 60 mijë vende të reja pune, sipas Guvernatorit Endrju Kuomo. Çdo vit, buxheti i këtij shteti do të përfitojë nga tregtia e marijuanës, 350 milionë dollarë. Mairjuana lejohet në 17 shtete amerikane.

Tv Klan