“Paratë nuk i mori për të kryer ndonjë veprim zyrtar”

Charles McGonigal, ish-zyrtari i FBI-së që është nën hetim në Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim të mundshëm me rusët, nuk është përpjekur në asnjë moment të fshehë udhëtimet në Shqipëri dhe takimet me Kryeministrin Edi Rama.

Në këtë përfundim arrin një analizë e gjatë që i bën e përditshmja prestigjoze New York Times kësaj çështje që ka ngjallur shumë polemika dhe dyshime.

“Gatishmëria e McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij nga kolegët – thanë ish-zyrtarët. Ai gjithashtu përdori F.B.I. adresën e emailit dhe telefonin për çështjet që lidhen me Shqipërinë – tha një person që ka njohuri mbi hetimin”, shkruhet në artikullin e NYT.

Duke iu referuar burimeve të prokurorisë në Shtator 2017, McGonigal dhe Neza udhëtuan për në Shqipëri, ku Agron Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i Kryeministrit Rama.

Duçka, i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi B, e solli McGonigal të takohej me Ramën. McGonigal duket se është përpjekur të shtyjë Kryeministrin drejt dhënies së një licence për nxjerrje nafte një subjekti të lidhur me Nezë dhe Duçkën, siç besojnë prokurorët.

“Atë vjeshtë, Neza i dha McGonigal 225,000 Dollarë në tre këste. Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në Nju Jork dhe të tjerat në shtëpinë e tij në Nju Xhersi. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar z. McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave”, vijon artikulli i NYT.

Në dosje thuhet po ashtu, se në takimin e tij me kryeministrin, Charles McGonigal paralajmëroi rrezikun se firmat ruse mund të penetrojnë në tregun shqiptar për të marrë licenca për nxjerrjen e naftës.

Tv Klan