Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë një plan për fillimin e sulmeve ajrore izraelite kundër objekteve bërthamore të Iranit dhe ka mbeshtetur fillimin e negociatave për të arritur një marrëveshje bërthamore me Teheranin.

Lajmin e bën të ditur New York Times që citon burime në administratën e Kreut të Shtëpisë Bardhë. Sipas kësaj media, Izraeli kishte hartuar plane për të kryer sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane në muajin Maj, me synimin për të parandaluar Teheranin të zhvillojë armët bërthamore për të paktën një vit, dhe pse jo edhe më gjatë.

Plani do të kërkonte zbatimin e ndihmës së SHBA-së, jo vetëm për të mbrojtur Izraelin nga hakmarrja iraniane, por edhe për të garantuar suksesin e operacionit.

Pas muajsh diskutime të brendshme, Kreu i Shtëpisë Bardhë, Trump thuhet se vendosi të kërkojë fillimin e negociatave midis Uashingtonit dhe Teheranit dhe të mos favorizojë ndërhyrjen ushtarake.

SHBA-ja dhe Irani, të cilët nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 1980, zhvilluan bisedime indirekte në Oman të shtunën e kaluar. Të dyja palët i përshkruan bisedimet si “pozitive” dhe “konstruktive”. Një raund i dytë bisedimesh është planifikuar të mbahet në Romë.

Klan News