Premier Liga angleze bëhet sërish destinacion për Mario Balotelin. Sulmuesi italian ka rilindur në Turqi në radhët e skuadrës së Adana Demirspor, duke ngjallur interesin e ekipeve të gadishullit. Sipas asaj që raportojnë mediat botërore, Baloteli ka përfunduar në listën e dëshirave të skuadrës më të pasur në glob, Njukasëllit.

Qymyrxhinjtë nuk kanë përpiluar ende një ofertë konkrete për ish-futbollistin e Milanit dhe Interit, gjithsesi deri në fundin e muajit Janar gjithçka pritet të ndodh. Në rast se Baloteli vendos për t’iu bashkuar Njukasëllit, ky do ishte një rikthim për italianin. Në të shkuarën, 31-vjeçari ka veshur fanellën e Mançester Siti dhe Liverpul.

Baloteli iu bashkua skuadrës së Super Ligës turke verën e kaluar dhe po udhëheq ekipin drejt një vendi për në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Deri më tani këtë sezon, ai ka luajtur 20 ndeshje, ku ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë katër asiste.

Klan News