“Nexhmija humbi personalitetin pasi u lidh me Enver Hoxhën”

“Nexhmija humbi personalitetin pasi u lidh me Enver Hoxhën”

23:37 11/09/2019

“Ishte një vajzë e mbarë dhe donte të punonte për një botë të re, por lidhja me Enver Hoxhën e bëri që ajo humbi personalitetin, integritetin e saj, humbi aftësinë për tu kundërvënë”. Kështu e ka përshkruar ish mjeku i Enver Hoxhës, Isuf Kalo, Nexhmije Hoxhën.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ish mjeku rrëfeu ndër të tjera se Nexhmije Hoxha ishte vetëmohuese dhe kishte dhënë lirinë e saj për t’iu përkushtuar bashkëshortit, Enverit.

Blendi Fevziu: Ju thoni gjatë gjithë kohës që Nexhmije Hoxha ishte një bashkëshorte e devotshme pranë Enver Hoxhës  më shumë si bashkëshorte sesa si një shoqe?

Isuf Kalo: Absolutisht po, për devotshmërinë ndaj të shoqit të saj ajo ka qenë një model që unë se kam parë. Ajo ishte vetëmohuese, kishte dhënë lirinë e saj dhe përkushtuar të shoqit duke e përjetuar si një detyrim, jo vetëm familjare, partiake por edhe shtetërore.

Blendi Fevziu: Ju thoni që ajo ishte kryesisht një person i akullt, por që ishte shumë prekur në raport me familjen, por edhe  rrethi i saj familjar…

Isuf Kalo: Ishte tradicionaliste, ishte si nuse zamani, njerëzit e burrit duhet ti respektonte, kushërinjtë duhet ti respektonte.

Blendi Fevziu: A ishte e predispozuar të ndihmonte njerëzi jashtë rrethit të saj familjar?

Isuf Kalo: Ajo nuk donte të lunte rolin e institucionit, por nuk është se nuk ka ndihmuar njerëz, 2-3 i kam thënë, për çështje shëndetësore i kam ndihmuar dhe unë se më është lutur, por i ka bërë në mënyrë jo zyrtare. Ndonjë artisti të madh i ka dhënë shtëpi. Por duhet ti thoshte Komunitetit Ekzekutiv dhe e kishte tmerr, nuk donte të ndërhynte.

Blendi Fevziu: Si do ta përkufizoni ju Nexhmije Hoxhën?

Isuf Kalo: Ishte një person që ka pasur një “brumë” shumë të mirë kur ishte e re, vajzë e mbarë, ishte shumë mirë me mësime, donte të punonte për një botë të re, por lidhja me Enver Hoxhën e bëri që ajo humbi personalitetin, integritetin e saj, humbi aftësinë për tu kundërvënë. /tvklan.al

Të ngjashme