Ka një marrëveshje mes Barcelonës dhe Neymar. Braziliani është drejt rikthimit në Katalunja, madje për një qëndrim të gjatë. E përditshmja ‘Sport’ bën të ditur se është rënë parimisht dakord për një kontratë 5-vjeçare. Dëshira e futbollistit për t’u rikthyer është aq e madhe saqë nuk ka vënë asnjë kusht.

Madje lojtari është i gatshëm të pranojë përgjysmim të pagës vjetore, të heqë dorë edhe nga pretendimi i 26 milionë Eurove për një arësye të vetme. Në Spanjë do t’i kthehej buzëqeshja. Braziliani merr aktualisht tek PSG 36,8 milionë Euro në sezon, më shumë se 3 milionë Euro në muaj, afërsisht 100 mijë Euro në ditë. Nëse rikthehet tek Barça, do të marrë afërsisht 24 milionë Euro në sezon. Por edhe ky skenar nuk është krejt i sigurtë.

Futbollisti ka biseduar me drejtues të Barcelonës dhe u ka bërë të ditur që nëse nuk do të rikthehet ne Camp Nou, atëherë do të shohë mundësinë e gjetjes së rrugës për në Bernabeu të Madridit. Marrëveshja që deri tani është verbale, konsiderohet një hap i madh. Gjithsesi një hap i vështirë do të ishte akordi me PSG që dy vite më parë pagoi 222 milionë Euro për Neymar.

Tv Klan