Klubi parisien i ka komunikuar yllit brazilian se nuk bën më pjesë në projektin për sezonin e ardhshëm

PSG-ja ka informuar Nejmarin se ai nuk është në planet e klubit për sezonin 2022-2023. Gjigandët francezë kanë vendosur që të bëjnë ndryshime në ekip, ndërsa larguan trajnerin Mauricio Poketino dhe rinovuan me sulmuesin Kilian Mbape.

Klubi parisien është shumë afër firmës me trajnerin e Nisës, Kristof Galtie. Ikona braziliane u ble për 222 milionë euro nga Barça në 2017-ën, por tani nuk bën më pjesë në projektin e ri, raporton Daily Mail. Sulmuesi realizoi 13 gola në 22 paraqitje në sezonin e shkuar, ku PSG fitoi titullin kampion, ndërsa nuk u aktivizua nga dhjetori në shkurt, për shkak të një dëmtimi në kavilje.

Dështimi në Ligën e Kampioneve ka bërë që 30 vjeçari të mos jetë më ndër të preferuarit e tifozëve dhe drejtuesve. Nejmar paguhet 24 mln paund në vit dhe të pakta janë klubet që mund t’i lejojnë vetes që ta kenë. Shoku i tij i kombëtares, Tiago Silva ka sugjeruar që Çelsi të përpiqet që ta marrë sulmuesin, pasi kjo do ta forconte së tepërmi ekipin.

Klan News