Neymar Junior është prezantuar këtë të premte si futbollisti më i ri i PSG. Braziliani ka mbërritur në Paris në orët e paradites. Pas një vizite në stadium, sëbashku me presidentin Al-Khelaifi i është drejtuar sallës së konferencave për shtyp. Kalimi i tij nga Barcelona në klubin francez përbën transfertën më të shtrenjtë në historinë e futbollit, por sipas sulmuesit ai nuk është joshur nga paratë.

“Vendimi im s’ka të bëjë me paratë. Ajo që kërkoj është lumturia ime dhe e familjes time. Jam këtu sepse bëra ç’më tha zemra. Dua të falënderoj të gjithë tifozët e Barcelonës dhe klubin, por vendosa të vij këtu për arsyes të ambicies që ka PSG”.

Braziliani i ka idetë e qarta, Champions League synimi kryesor.

Tashmë sfida është Champions League, por nuk duam vetëm atë, duam të gjithë titujt e tjerë.

Presidenti i PSG Al-Khelaifi tha se klubi do të jetë transparent dhe do të bashkëpunojë me UEFA-n për të qartësuar se nuk janë shkelur rregullat e Fair-play financiar.

Neymar do të paguhet afërsisht 45 milionë euro në vit bashkë me bonuset dhe shpërblimet, ndërsa sipas mediave spanjolle, edhe babai i tij, në rolin e personit që ka ndikuar për këtë transfertë do të paguhet afro 40 milionë euro.

Ndoshta këto shuma e bënë brazilianin të flasë 3 fjalë në frëngjisht.

Tv Klan