Hiqet maska në ambiente të hapura, lejohen dasmat 

Nga 1 Qershori në Maqedoninë e Veriut pritet të hyjnë në fuqi masa të reja lehtësuese. Shtabi Kryesor i Krizës ka shqyrtuar dhe ka konfirmuar rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse për zbutjen e masave anti-Covid duke propozuar që nesër të miratohen në seancën qeveritare.

Maskat mbrojtëse nuk do të mbahen në ambiente të hapura, por rekomandohet mbajtja e tyre në hapësira të mbyllura, transportin publik dhe në grupime më të mëdha.

Objektet hotelerike mund të organizojnë ahengje familjare por me 100 mysafirë, kurse nëpër dasma mund të ketë edhe muzikë të gjallë. Nëpër lokale, në një tavolinë, në vend të katër, mund të ulen 6 persona.

Ndeshjet e sportit në ambiente të hapura mund të ndiqen me 30% të publikut. Gjithashtu rekomandohet heqja e masës për punë nga distanca dhe me ndërrime.

Komisioni për Sëmundje Infektive ka rekomanduar që ora policore nga mesnata deri në 04:00 të mëngjesit të mbetet në fuqi deri më 15 Qershor.

Vendimi për zbutjen e masave anti-Covid, siç njoftojnë autoritetet e shëndetësisë, është rekomanduar për shkak të situatës së volitshme epidemiologjike që karakterizohet me uljen e incidencës 14-ditore të infektimeve të reja dhe testeve që rezultojnë pozitiv, ulja e rasteve aktive në nivel vendi dhe ulja e numrit të pacientëve që trajtohen nëpër spitale.

Për momentin në Maqedoninë e Veriut regjistrohen 1.150 raste aktive, kurse para një muaji kjo shifër ishte rreth 15.000. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, si të shëruar janë evidentuar mbi 1.200 pacientë gjë që në mënyrë drastike ka ulur presionin ndaj spitaleve. 

Klan Macedonia