Prej së shtunës së 24 majit, do të hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë, vepra që shkurton distancën drejt bregdetit të jugut dhe që i shërben sezonit turistik.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e sipas saj rivenia në funksion do t’i shërbejë zhvillimit të turizmit në rivierën shqiptare, që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

“Tuneli do jetë pa pagesë deri më 15 shtator”, lajmëron Balluku.

Sipas ministres Balluku, përgjatë tunelit do të ndalohet kalimi vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë.

Me një gjatësi prej 6 kilometrash, tuneli i Llogarasë përbëhet nga dy tuba, ai kryesor dhe një tunel emergjence, të lidhur me 11 dalje. Tuneli jo vetëm lehtëson qarkullimin, por gjithashtu redukton kohën e udhëtimit nga Dukati në Palasë, e cila nga 30 minuta, në vetëm 7 minuta.

Tuneli i Llogarasë u hap në korrik të vitit të kaluar, me qëllim mundësimin e kalimit të makinave për sezonin turistik, për t’u mbyllur në nëntor, me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme. Vlera e këtij projekti llogaritet në 230 milionë euro.

Tv Klan