Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njofton fillimin e fluturimit të ri të drejtpërdrejtë me Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait (DBX) dhe anasjelltas duke filluar nga data 28 Mars 2021. Linja ajrore me bazë në Dubai, Flydubai, do të operojë dy herë në javë, të Enjteve dhe të Dielave, me një Boeing 737.

Sipas një njoftimi zyrtar të TIA-s, Flydubai do të jetë linja e parë me qendër në Dubai që ofron fluturime direkte në këtë itinerar.

Fluturimet do të nisen nga TIA në 13:30 pasdite duke arritur në DXB në 21:55 të darkës, të orës lokale. Fluturimi i kthimit niset në 9:35 të mëngjesit, ora lokale, nga Dubai dhe arrin në TIA në 12:30 të drekës.

Kompania ajrore Emirates do të operojë tranzit së bashku me kompaninë Flydubai duke u ofruar udhëtarëve më shumë lidhje pa ndërprerje përmes qendrës ndërkombëtare të aviacionit të Dubait në 155 destinacione duke përfshirë Australinë, Kinën, Oqeanin Indian, Japoninë dhe Azinë Jugore./tvklan.al