Nga Blendi Fevziu/ Gazetari Artan Hoxha ka bërë një deklaratë befasuese dje në emisionin Opinion. Duke folur për Klemend Balilin dhe mosarrestimin e tij, ai ka deklaruar se disa kohë më parë, sipas sistemit TIMS, Klemend Balili ka udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Dubait i shoqëruar nga një ministër aktual i qeverisë së majtë.

Hoxha nuk ka dhënë më shumë detaje, por ai ka sqaruar se këtë fakt e di edhe prokuroria që e ka ndeshur gjatë hetimeve dhe madje ai e ka përmendur për herë të parë po në emisionin Opinion në Maj 2016.

Hoxha sqaroi se në kohën e udhëtimit, Balili nuk ishte në kërkim, madje me gjasë ka qenë një zyrtar i qeverisë, por shoqërimi me një ministër, mund të hapë debate mbi mbështetjen politike të tij. Edhe pse në atë kohë, Balili nuk kishte asnjë aktivitet brenda territorit shqiptar dhe as ndonjë llogari të hapur me ligjin.

Hoxha nuk sqaroi se kush është Ministri. Por ai garantoi se ky fakt është i vërtetë dhe dihet nga autoritetet. Nuk dua as ta paragjykoj dhe as ta konfirmoj Artan Hoxhën, por deklarata e tij kërkon një verifikim më të plotë. Nëse ajo është e vërtetë, ngre një seri pyetjesh thelbësore:

Cili është pra Ministri që ka udhëtuar nga Tirana në Dubai me Balilin?

Cili ka qene shkaku i udhëtimit?

Dhe cfarë i lidhte këta dy persona?

Asnjë përgjigje nuk jepet për këto pikëpyetje. Madje as organet kompetente që duhej të shpreheshin në këtë rast, as e kanë pranuar dhe as përgënjeshtruar këtë deklaratë që përsëritet për të dytën herë. Nëse Hoxha e ka informacionin të gabuar, është problem i tij. Por nëse informacioni i Hoxhës është i vërtetë ai meriton një tjetër trajtim dhe hap një tjetër pistë në hetimet për Klemend Balilin.

Akoma më tepër, media që qëmton cdo lajm në këtë drejtim kësaj herë thuajse heshti dhe deklarata e Hoxhës, kaloi o pa u botuar askund, ose me ndonjë botim periferik. Nuk dihet se përse vëmendja e portaleve qe kaq e vagullt këtë herë dhe shpresoj shumë që kjo të jetë thjeshtë një pavëmendie nga ato që krijohen nga ritmi i madh i punës.

Por problemi i asaj që tha Hoxha, shkon edhe përtej faktit nëse Balili ka udhëtuar me një ministër dhe se kush është ai.

Ajo që është më befasuese në këtë rast, pra në rastin Balili, është fakti se në pingpongun mes institucioneve, faji mbetet jetim dhe përgjegjësi nuk mban askush. Sic tha edhe dje një jurist i njohur, ky rast ka vetëm dy mundësi: ose Ambasadori Lu di dicka më shumë se sa ajo që dimë ne dhe deklarata e tij vlen për të kuptuar shkallën e inkriminimit në vend; ose Ambasadori Lu nuk njeh ligjet shqiptare dhe ngarkon kot me përgjegjësi Prokurorinë dhe policinë. Njëra nga këto të dyja duhet të jetë. Publiku le të gjykojë vetë, por institucionet kanë detyrimin të sqarojnë deri në fund atë që po ndodh dhe jo të krijojnë një tjetër mjegull që e shoqëruar me akuzat politike boshe, vetëm sa e fsheh të vërtetën.

Dikush duhet të flasë për këtë çështje. Nuk mund të presim që Lu të dalë sërish dhe të flasë shqip, se kush ka vërtet përgjegjësi për një çështje që po merr përmasat e një filmi policor. Një film, aktorë të të cilit, po bëhen të drejtuesit e lartë të organeve ligjzbatuese.