Denoncuan për një tentativë grabitje në banesën e tyre në fshatin Mënik të Tiranës, por babë e bir kanë përfunduar pas hekurave. Policia njofton se 58-vjeçari Gëzim Hysa ka telefonuar policinë me pretendimin se disa persona kishin hyrë në oborrin e banesës së tij dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë kaluar në adresën e dhënë dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, është i biri i denoncuesit, 22-vjeçari Orjent Hysa.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj thotë se në dëshminë e tij, 58-vjeçari ka pretenduar se 3-4 ditë më parë kanë tentuar që t’i grabisin shtëpinë, por kjo nuk është vërtetuar akoma sipas burimeve të policisë.

Denoncuesi ka pretenduar se ka parë një person të maskuar në oborrrin e shtëpisë. Menjëherë ka hyrë në shtëpi, ka marrë kallashnikovin që e ruante që prej ’97-ës dhe ka qëlluar 4-5 herë në ajër. Sipas tij, personi me maskë që është larguar me shpejtësi i është kundërpërgjigjur me armë.

Gjatë kontrollit të banesës së dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, të përdorur gjatë ngjarjes, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.

Pas përfundimit të hetimeve paraprake, policia arrestoi babë e bir për armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.


Njoftimi i policisë:

Telefonuan Policinë me pretendimin se disa persona kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre, dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, vihen në pranga babë e bir.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, e përdorur gjatë ngjarjes, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në fshatin Mënik, një shtetas pretendonte se persona të paidentifikuar kishin hyrë në oborrin e banesës së tij, dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Rrethanat: Shtetasi G. H., 58 vjeç, mbrëmjen e djeshme ka telefonuar Policinë duke pretenduar se persona të paidentifikuar, ishin futur në oborrin e banesës së tij, dhe kishin qëlluar me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë, dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, është shtetasi O. H., 22 vjeç.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., dhe O. H., (babë e bir), të dy banues në Mënik.

Gjatë kontrollit të banesës së dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, të përdorur gjatë ngjarjes, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridikdionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al