Rama: Udhëtimi pa pagesë, merret përsipër nga Air Albania

Për afro 1400 shqiptarët e mbetur në shtete të ndryshme, kryesisht të Europës, pas mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë së koronavirusit, nga hëna do të nisin fluturimet për t’i kthyer në atdhe. Lasgushi është avioni i parë që ngriti siparin e linjës ajrore shqiptare Air Albania.

Lajmin e jep Kryeministri, i cili thotë se shpenzimet i ka marrë përsipër kompania ajrore me kërkesën e tij.

“Ata që kanë mbetur rrugëve jashtë shtetit do nisim të hënën fluturimet për ti sjellë në atdhe. Nesër nxjerrim kalendarin e misionit të riatdhesimit dhe pikat ku do bëhet imbarkimi. Pa pagesë nga ana e individëve se i takon “Lasgushit” që t’i sjellë njerëzit në shtëpi. Në këtë hall kombëtar i kam kërkuar kompanisë “Air Albania” që të marrë përsipër të jetë shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Evropës e të mos kërkojë lekë për të kryer këto misione humanitare”.

Numri më i madh i shqiptarëve që duan të kthehen në atdhe ndodhen në Itali. Rama siguron se shteti do të ndihmojë të gjithë ata që në këtë situatë kanë pengesa të mëdha për shkak të masave shtrënguese, por përsërit se qytetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke mos iu shmangur detyrimeve.

“Unë po bëhem e të gjithë ne po bëhemi 14 copash që të mos lëmë asnjë prej jush vetëm. Shoh disa që rrinë brenda e bëjnë lloj-lloj komentesh në rrjetet sociale për popullin që po vdes për bukë medemek, me kërkesa absurde deri për të mos paguar dritat, me tallje për policët, këto janë të turpshme, në një kohë kaq të vështirë kur duhet durim inkurajim e unitet kombëtar. Ne s’kemi një shkop magjik e s’jemi një shpi e pasur, edhe se me thënë të drejtën as në shtëpitë më të pasura të Ballkanit s’po shoh të bëhet ndonjë mrekulli e veçantë për këta njerëz të kapur befasisht. Unë s’do lë gjë pa bërë por dreqi e mori futeni mirë në kokë se jemi në luftë e secili duhet të shtrëngohet”.

Me bërjen publike të kësaj iniciative të qeverisë shqiptare kanë qenë të shumta telefonatat në Ministrinë e Jashtme, por burime zyrtare të saj thanë se do të verifikohet çdo kërkesë për kthim në atdhe. 

Tv Klan