Për 25 vjet, Brunilda dhe familja e saj kanë jetuar pa identitet. Të drejta të mohuara, të pazbatueshme që vetëm i jepnin hov kalvarit të vështirësive. Fëmijët nuk shkolloheshin dot, nuk merrnin kujdesin shëndetësor, nuk mund të lëviznin lirshëm sepse për autoritetet, nuk kishin ekzistuar kurrë.

Brunilda dhe djali i saj i vogël, Drini vijnë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të rrëfyer si nisi gjithë kjo histori. Fjalën e merr Brunilda që tregon se në vitin ’97 ajo u martua në Malësi të Madhe. Një vit më vonë, bashkëshorti nuk lajmëroi askënd dhe vendosi të bëhej pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas Brunildën shtatzënë.

Kur ai kthehet në muajin gusht, familja s’e lejon më të largohet dhe vendosin të shkojnë në Londër. Nga gomonet në kamionë, Brunilda e quan mrekulli faktin që arriti t’ia dilte mbanë duke qenë 8-muajshe shtatzënë.

Brunilda: Unë isha 8-muajshe shtatzënë, vendosëm të shkojmë në Londër. Shkojmë drejt Vlorës, me gomone në Brindisi.

Ardit Gjebrea: 8-muajshe shtatzënë me gomone?

Brunilda: Me gomone. Pastaj mbërrijmë në Itali, rrimë disa ditë derisa gjetëm rrugën për Angli.

Ardit Gjebrea: Që ishte?

Brunilda: Që ishte me kamionë, e mbyllur rreth 16-17 orë, pa dalë fare. Dashtë Zoti më ndihmoi që mos ta humbja fëmijën, gjithë ai udhëtim, gjithë ajo vështirësi. Hyjmë në Londër. Në momentin që hyjmë në Londër, policia londineze na ndan në dy pjesë: mua më gjen banesën ngaqë isha shtatzënë dhe minorene dhe burrin e dërgojnë në kamp.

Në Londër, çifti u regjistrua si nënshtetas të Kosovës. Tashmë ishin bërë me tre djem të regjistruar me identitete të tjera në Angli, ndërsa në Shqipëri nuk pasqyroheshin në gjendje civile a në ndonjë dokument. 

Në vitin 2005, familja kthehet në Kosovë dhe Brunilda tregon se me shumë vështirësi, ia doli që djali i madh, Sovrani të regjistrohej në shkollë. Për të marrë shërbimin shëndetësor ishte e vështirë dhe nevojiteshin një mori shkresash. Kufiri Shqipëri-Kosovë duke e përshkuar nga mali ishte kthyer në një rrugë thuajse të zakonshme.

Brunilda: Kalonim malin, djemtë kalonin malin bashkë me bashkëshortin, unë kaloja doganën që të kaloja pajisje të tjera. Ndjenjëm disa muaj, por ndërkohë djemtë humbin një vit shkollë sepse nuk mundja t’i fusja as në shkollë atje.

Ardit Gjebrea: U kthyet prapë në Shqipëri.

Brunilda: Po, shkaku i shkollimit të fëmijëve se thosha mos të më rrinë pa shkollë.

Ardit Gjebrea: Sa herë e keni bërë Shqipëri-Kosovë?

Brunilda: Të them të drejtën, 10 vjet e deri tani, mund të jenë bërë edhe një herë në 2 muaj, një herë në 3 muaj.

Ardit Gjebrea: O Drin çfarë kujton ti nga gjithë kjo?

Drin: Neve na binte të shkonim andej nga Dragashi për shembull. Ishte shumë…  Shqipëria këtej, Maqedonia dhe Kosova, ishin malet më të larta.

Ardit Gjebrea: Kishe frikë?

Drin: Jo se kishim frikë se e bënim shpesh atë, u mësuam, por kishim frikë gjëra të tjera,mos na kapin,  mbajnë e hajde shpjegoja si s’kemi dokumente, ndonjëherë s‘kuptonin, ishte zor të gjeje gjuhën e përbashkët. Ishte edhe rruga ekstrem e gjatë, s’është se i dinim rrugët. Mendonim po shkonim nga Kosova, por mos ia fusim nga Maqedonia, krejt tjetër vend, pastaj bëhu lëmsh./tvklan.al