Nga Janari mbi 13 mijë biznese të fiskalizuara


Nga Janari mbi 13 mijë biznese të fiskalizuara

19:31 29/07/2021

Drejtoria e Tatimeve: 40% e subjekteve sektor i tregtisë, 28% sektor shërbimi

Që prej Janarit sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve numri i bizneseve të fiskalizuara ka arritur në mbi 13 mijë, prej të këtyre 7937 subjekte i përkasin biznesit të madh dhe 5500 të tjera biznes i vogël.

Nga biznesi i madh, 40% e subjekteve të fiskalizuara i përkasin sektorit të tregtisë dhe 28% sektorit të shërbimit.

Po ashtu Tatimet njoftojnë se rreth 47% e bizneseve të fiskalizuara janë në Tiranë dhe 11% në Durrës.

Në 1 Janar 2021 nisi faza e parë për transaksionet pa para në dorë mes tatimpaguesve dhe enteve publike, ndërsa në 1 Korrik nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë mes tatimpaguesve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se më 1 Shtator do të nisë faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator.

Pezullimi i gjobave deri në fund të vitit ka bërë që shumë subjekte të vazhdojnë të lëshojnë fatura të pafiskalizuara. Pas një situate pasive të krijuar në fillim, tatimet njoftuan se përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri në datën 31.08.2021.

Në fazën e tretë në Shtator të fiskalizimit për transaksionet në cash mes bizneseve dhe konsumatorëve dhe në total pritet të përfshihen 100 mijë subjekte.

Klan News








Të ngjashme