Shqipëria nisi ditën e djeshme vaksinimin kundër koronavirusit. Mirëpo mënyra se si është siguruar vaksina ka krijuar debat në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama nuk e ka bërë publik se cili vend na e ka dhuruar sasinë e vaksinave.

Nbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “Opinion”, shefja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, sqaroi se vaksinat nuk kanë ardhur kontrabandë dhe dorazi.

Mirëpo Bino tha se as ajo nuk e di vendin se nga kanë ardhur vaksinat.

“Vaksinat janë me sistem, nuk janë kontrabandë se Pfizer nuk mund të bëjë kontrabandë. Vaksinat kanë ardhur në kushtet e duhura, siç i dërgon Pfizeri. Nuk janë dorazi. Kjo është çmenduri. Vaksinat kanë mbërritur në kushtet e caktuara. Vaksinat kanë temperaturën e caktuara. Vendin nga kanë ardhur nuk e di”, tha Bino.

Sipas Binos, numri i dozave ka qenë i vogël, ndërkohë që dha detaje nga kutia që është sjellë në Shqipëri.

“Numri i dozave të vaksinës është i vogël. Është një kuti e vogël. Nuk ka ardhur dorazi. Nuk mund të vijë dorazi. Vaksina brenda ka një spiun, kanë edhe një fletë të përcaktuar, spiuni tregon temperaturën e vaksinës që është brenda kutisë që ka atë akullin e ftohtë. Kjo është arsyeja dhe ne nëpërmjet atij spiuni shikojmë temperaturën dhe temperatura ka qenë adekuate”, tha Bino./tvklan.al