Tërmeti tragjik i 12 ditëve më parë la pas viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale.

Që prej mëngjesit të 26 Nëntorit, tvklan.al ka qenë në terren dhe përgjatë këtyre ditëve ka sjellë dëshmi të shumta të banorëve të prekur nga tërmeti dhe të dëmeve që ata kanë pësuar.

Gazetari Spartak Koka vizitoi disa familje, nga Kepi i Rodonit deri në Thumanë. Banesat e tyre kanë pësuar dëmtime të shumta dhe janë shpallur të pabanueshme. Ata tregojnë për kushtet e vështira në të cilat jetojnë.

Tërmeti i 26 Nëntorit pjesën më të madhe të këtyre banorëve i gjeti brenda në shtëpi. Fatmirësisht jeta e tyre nuk u rrezikua, megjithatë disa pësuan dëmtime. Ky është edhe rasti i një të moshuare nga fshati Shetaj në Kepin e Rodonit. Ajo tregon se ka qepje në kokë për shkak të dëmtimeve të marra. Ndonëse e plagosur, e moshuara futet brenda mureve të kësaj banese dhe tregon se mbi të kanë rënë tjegullat teksa po përpiqej të dilte nga shtëpia.

Një banor tregon sesi arriti t’i shpëtojë mrekullisht tërmetit së bashku me nënën e tij të moshuar. Ata jetonin në një shtëpi gati 100-vjeçare, e cila është shkatërruar tërësisht.

Në një prej lagjeve të fshatit Gjuricë, 10 pjesëtarë të 2 familjeve jetojnë prej disa ditësh në një tendë. Banesat e tyre kanë pësuar dëmtime dhe ata janë ende të frikësuar për t’u futur dhe për të jetuar në to, në pritje të një përgjigjeje nga ekspertët.

Edhe në Kodër Thumanë shumë familje jetojnë në çadra për shkak të dëmeve që kanë pësuar shtëpitë e tyre. Banorët atje kërkojnë ndihmë.  

Diku tjetër, 8 pjesëtarët e një familjeje flenë në makinë, sepse të tre katet e vilës së tyre kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë të pabanueshme.

Edhe banesa e Dervish Hysenit në Thumanë ka pësuar dëmtime të rënda. Zonja e shtëpisë tregon se çdo mobilje e pajisje ka mbetur e bllokuar brenda dhe ajo ka frikë t’i nxjerrë nga aty, për shkak se muret mund të bien nga momenti në moment. Edhe aty, të zotët e shtëpisë jetojnë në çadër.

Gazetar: Spartak Koka

Tvklan.al 2019