Kolumbiani i dytë nuk u fut asnjëherë në Shqipëri

Kokaina e sjell me sukses nga Kolumbia në Shqipëri nga Nikolin Gjolena dhe 9 personat e tjerë pasi u zhdoganua në ambientet e doganës, aty ku sipas përgjimeve trafikantët kishin dhënë një shumë monetare dhe disa thasë me pleh organik që procedurat të bëheshin shpejt, u mbajt për disa ditë në një garazh në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Detyrën për t’u kujdesur për lëndën narkotike në Kryeqytet në rrugën Jorgo Panajoti, e kishte shtetasi Marildo Rona, i cili gjithashtu kishte siguruar sipas dosjes hetimore që Tv Klan ka lexuar, pirunin për lëvizjen e ngarkesës dhe infrastrukturën për finalizimin e ndarjes së lëndës narkotike nga plehu.

Sipas përgjimeve të kapura nëpërmjet shtetasit Denilson Çervanaku, Rona i tregon atij se vendi ku kokaina do qëndronte ishte i sigurt dhe i monitoruar nga kamerat në çdo moment, por edhe ai do qëndronte aty.

Gjithashtu, Denilson Çervanaku i kërkon bashkëpunëtorit të tij t’i gjejë një hotel pranë lëndës narkotike në Kombinat, ku do prisnin mbërritjen e mikut të tyre për ekstraktimin e lëndës narkotike.

Pas mbërritjes së shtetasit kolumbian Samir Rodrigues lënda është dërguar në Frakull ku u vendos në banesën e Viktor Çervanakut, megjithëse siç rezulton nga përgjimet, Rodrigues edhe pse ka shkuar për të parë sasinë, nuk ka nisur nga puna dhe kjo gjë nuk është pritur mirë nga anëtarët e grupit.

Tv Klan mëson se grupi ishte në pritje edhe të një tjetër shtetasi nga Kolumbia, i cili nuk është future në Shqipëri dhe ka qëndruar në Malin e Zi, aty ku vijon një hetim paralel për të njëjtin rast trafiku. 

Tv Klan