Veliaj – opozitës: Jeni kthyer më të lodhur seç ikët

Tirana do të ketë një qendër të posaçme për konventa dhe ekspozita. Për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i kërkoi Këshillit Bashkiak që në buxhetin e këtij viti të reflektohet edhe fondi për këtë projekt.

“Me aq evente sa ndodhin këtu, me aq aktivitete sa ndodhin këtu, Pallati i Kongreseve sot është i ezauruar. Ne duam që në skajin tjetër të Tiranës, tek Bulevardi i Ri, të kemi qendrën e re të Konventave e Ekspozitave”, tha Veliaj.

Teksa prezantoi një sërë projektesh të tjera që pritet të realizohen në Tiranë, ai theksoi se nuk do të mungojnë as ato për infrastrukturën sportive.

“Kemi disa projekte të reja të qytetit dhe njëri prej tyre është stadiumi i ri “Selman Stërmasi”. Ka ardhur koha që aty të kalojmë nga një ngrehinë ku ka agjenci udhëtimi apo lojëra elektronike, në një aset për Tiranën”.

Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak nuk munguan as debatet me përfaqësuesit e opozitës.

“Thashë se kishit ardhur me mendje serioze, por jeni kthyer më të lodhur seç ikët. Tiranën e viziton në një javë Enrique Iglesias, Buena Vista Social Club dhe Ricky Martin, këta janë ende me ‘ooh-llaçi-bojs’ si në 92-shin’”, tha Veliaj.

Tv Klan