“Katedralja e Parisit”, kryevepra e famshme e Viktor Hygosë që portretizon historinë e ciganes Esmeralda dhe Kuazimodon, njeriun e shëmtuar nga jashtë dhe të pastër përbrenda, ka qenë arsyeja e lëvizjes së Elhaida Danit nga një cep i botës në tjetrin. Tajvan, Kinë, Kanada, Itali, Francë e kudo, vepra franceze pushton skenat botërore dhe e ka pagëzuar Elhaida Danin me një emër të dytë, atë të Esmeraldës.

Në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ajo tregon rrugëtimin e saj me këtë rol që tashmë e ka përvetësuar aq shumë sa e ndien si pjesë të sajën.

Rudina Magjistari: Ke 5 vite që e interpreton kështu, nuk e di a e mban mend ti filmin nëse të ka rënë rasti ose mami duhet të të ketë folur për këtë film, ndoshta pyetja iu dashka bërë mamit tënd, a e mendonte që një ditë do të shihte vajzën e saj në skenë duke interpretuar pikërisht këtë rol?

Elhaida Dani: Asnjëherë, me të vërtetë asnjëherë, ajo ëndërronte që unë të këndoja, dihet historia e mamit tim që ëndërronte që vajza e saj të bëhej këngëtare sepse ajo dëshironte, por babai i saj shuam fanatik në atë kohë, nuk e lejoi. Ëndërronte që unë të këndoja por nuk do ia kishte marrë mendja që unë një ditë do të interpretoja në skena të tilla. Madje, natën që po performoja Esmeraldën në “Arena di Verona” në Itali dhe ishte hera e parë që pas 4-5 vitesh, familja imë më pa të performoja këtë rol për të cilin iu kisha folur aq shumë në telefon, më kishin parë në video, por s’më kishin parë kurrë live, prandaj isha shumë e emocionuar.

Rudina Magjistari: Cila ka qenë skena tjetër ku ti e ke përjetuar ose ka një histori më të veçantë vënia në skenë e “Katedrales së Parisit” se ke shëtitur gjithë botën me këtë shfaqje, ku ka një kujtim special?

Elhaida Dani: E vërtetë, kam shëtitur gjithë botën. Mbaj mend në Rusi, në Moskë, kam kënduar në Pallatin e Kremlinit ku ishte prezent edhe Medvedev, ku erdhi më takoi pas shfaqjes së bashku me bashkëshorten dhe më dhuruan lulet,më bënë komplimente, ishte një moment shumë interesant, do ta mbaj mend. Kam kënduar në Shën Petërburg, në pallatin e Mbretëreshës në Londër, në Kinë, në Kore, në Kanada, në Liban, në Turqi, në Francë, nuk mbaj mend me të vërtetë aq shumë vende, por këto janë vendet që më kujtohen direkt, pallati i Mbretëreshës dhe Kremlini.

Rudina Magjistari: Gjithandej duartrokitje apo jo?

Elhaida Dani: Është një shfaqje që duhet shumë nga publiku, kudo që shkon, në çfarëdo gjuhe të jetë më bën të kuptoj çdo ditë që me të vërtetë arti nuk paska kufij, nuk ka nevojë për një gjuhë, arti është gjuhë më vete që çdo njeri e kupton.

Rudina Magjistari: Riccardo Cocciante-n si e kam?

Elhaida Dani: Shumë mirë, e kemi bërë tonin dhe atij i pëlqen shumë kjo gjë. Është shumë mirë, flasim shumë shpesh, por kohët e fundit nuk e kam takuar shumë pasi për faj të pandemisë edhe ai është munduar të mos ketë shumë lëvizje nga një kontinent në tjetrin, por sa herë që dëgjohemi, flasim, bëjmë urimet për njëri-tjetrin për ditëlindje e raste, është njeri shumë i dashur. Në Itali do të takohemi shumë shpejt.

Rudina Magjistari: Do të keni një shfaqje në Itali?

Elhaida Dani: Absolutisht po, në Itali do të festojmë 20-vjetorin e Notre Damit, kështu që do të jetë një eveniment shumë i madh, një vit shumë i rëndësishëm për këtë shfaqje, do të fillojmë promovimet dhe provat që në Tetor të këtij viti, Ricardo do të jetë aty me mua dhe përfitova të merrja këto 3-4 muaj që i kam të lirë tani në Verë, thashë pushimet mund të presin, por dua të bëj muzikë në shqip./tvklan.al