Destinacioni i radhës në rrugëtimin jug-veri të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte qyteti i Krujës. Në fjalën e tij para qytetarëve, Basha u bëri thirrje krutanëve që të votojnë masivisht për numrin 9 për të sjell ndryshimin dhe për të larguar një herë e përgjithmonë politikën e premtimeve të pambajtura dhe projekteve në 3D.

I them çdo shqiptari se në 25 prill zgjidhja është në dorën tuaj. Për nënat tona, për nënat e rinisë krutane në emigracion, për nënat shqiptare, me 25 prill për ndryshimin, votoni numrin 9. Për rininë tonë të mrekullueshme që t’i japim mundësinë të rritet dhe të arsimohet e të punësohet në vendin tonë të mrekullueshëm. Këtu, në Krujën e zejtarisë, të turizmit, të historisë, për këta që të gëzojnë këtë vend njësoj si të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e Europës, votoni numrin 9. Për prindërit tanë, rini. Rini që më bën krenare, rini e Krujës, rini e Shqipërisë, për prindërit tanë. Për sakrificën 30 vjeçare të themeluesve të demokracisë, të qëndrestarëve për dashurinë që na kanë falur, rini votoni numrin 9. Që këtej nga kryeqendër, nga kryeprincipata e shtetit të parë Arbror të Shqiptarëve, e cila u njoh nga çdo kancelari të mesjetës Europiane, le ti themi sot që për ta çuar Shqipërinë moderne, të zhvilluar, me paga të larta në Europë, Votoni numrin 9. Për Shqipërinë Europiane votoni numrin 9! E pra ja ku jemi të gjithë bashkë, e ndiej etjen për ndryshim, e prek entuziazmin tuaj në çdo takim. E ndien, e prek, e di që shqiptarët janë të bashkuar për ta larguar edhe një orë më parë edhe Edi Rama. Ai e di se shqiptarët e kanë ndarë mendjen, se pa e larguar atë, nuk hapen dyert e Europës, nuk hapen dyert e mirëqenies, nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën! Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Shqipëria thërret për ndryshim! Ndaj, ai që për 8 vite me radhë s’ka bërë asgjë për premtimet, s’ka mbajtur asnjë fjalën të vetme, vjen vërdallë në dyert e shqiptarëve, kërkon t’ia hapin për herë të tretë. Mos ja hapni derën dështimit për herë të tretë, për hir të familjeve tuaja, për hir të fëmijëve tuaj, nënave shqiptare, pavarësisht prej bindjeve politike. Nëna dhe baballarë, mos ja hapni dyert dështimit, ka guximin të shkojë pas 8 vitesh premtimesh të pambajtura, 8 vitesh dështimesh qytet më qytet, prapë me projekte 3D, për t’i ngopur shqiptarët me lugën bosh të mashtrimeve dhe premtimeve të pambajtura. Ka guximin ta thotë në dyert e shqiptarëve pas 8 vitesh pushtet, 8 vitesh qeverisje, ku nuk bëri asgjë për ta. Por shqiptarët do ta marrin vendimin më 25 prill. Votoni numrin 9! Votoni numrin 9!“, tha mes të tjerash Basha./tvklan.al