Tek emisioni “Rudina” në Tv Klan është diskutuar për një studim që tregon se njerëzit më inteligjentë janë ata që kalojnë më tepër kohë vetëm, ose ndryshe personat asocial. Për ta folur sjelljen në shoqëri të këtyre personave dhe si janë të pozicionuar ka qenë e ftuar psikologia Aba Zeneli e cila bën dhe ndryshimin e njerëzve asociale nga ata antisocialë.

Rudina Magjistari: Cilët persona quhen asocial?

Aba Zeneli: Personat asocial janë njerëz të cilët nuk shoqërohen me njerëz të tjerë, preferojnë të rrinë vetëm dhe të izoluar, nuk kanë marrëdhënie edhe me të dashur ose familje. E kanë shumë të vështirë ta krijojnë sepse e izolojnë veten. Nuk janë antisocial duhet ta themi këtë sepse antisocialët kanë sjellje devijonte, që themi për shembull kriminelët e ardhshëm janë antisociale, janë kundra, kurse këta nuk janë kundra, këta thjesht kanë mungesë sociale. Një studim thotë që këta njerëz kanë mungesa të neuroneve sociale.

Rudina Magjistari: Pse vetmia të bën më inteligjent, sepse sipas studimit rezultonte diçka e tillë?

Aba Zeneli: Nuk ishte që njerëzit asociale janë njerëz më inteligjentë, por është sepse izolohen dhe merren më shumë me studime, me projekte më afatgjata se njerëzit e tjerë ose me qëllime më afatgjata se njerëzit e tjerë dhe i përkushtohen diçkaje më shumë.

Rudina Magjistari: Ata jo se studiojnë më tepër sepse janë asocialë, thoshte bëhen asocialë sepse preferojnë më tepër të studiojnë sesa të kalojnë biseda në kafene.

Aba Zeneli: Janë asocialë ata, janë krijuar asocialë ose gjenetikisht ose nga rrethana edhe nga atashimi me nënën, babain, kujdestarin. Varet se çfarë rol babai ka pasur ai njeri, çfarë nëne ka pasur.

Rudina Magjistari: Në cilin rast një fëmijë mund të bëhet asocial?

Aba Zeneli: Për shembull kur kemi një nënë indiferente, që shikon veten e saj, është egoiste, del, bën dhe fëmijën e le pas dore. Pastaj kemi një fëmijë që kërkon gjithmonë figurën e nënës, atë që ai është më i lidhur, i shkon nga mbrapa por nuk merr vëmendjen e duhur, pastaj fillon dhe izolohet në vetvete dhe gjen mënyrat e veta si të socializohet me veten, pra është një person i përqendruar tek vetja.  Edhe rrethanat edhe e sjellin që të bëhet një asocial, jo vetëm se lind i tillë. /tvklan.al