Ekspozitë e përbashkët Kosovë-Shqipëri për festat e 28-29 Nëntorit

Në kuadër të festave të Nëntorit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me atë të Kosovës kanë hapur ekspozitën “Nga Nëntorët vijmë në Nëntorë shkojmë”.

Ekspozita u përurua në Muzeun e Kosovës, ku morën pjesë Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, studentë e studiues. Ardit Bido u shpreh se kjo ekspozitë është dëshmi e integrimeve mes institucioneve të të dy vendeve.

“Kjo ekspozitë, por edhe bashkëpunimet e tjera janë dëshmi e funksionimit dhe frymimit të institucioneve tona në një, andaj bashkëpunimet ndër institucionale duhet të integrohen në maksimumin e mundshëm”.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur disa dokumente që nga fillesat e kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë më 1912. Ekspozita përmban njoftime të shpalljeve të pavarësive të disa qytete të Shqipërisë, një histori të shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, po ashtu dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.

Jo vetëm kaq, po në të gjenden edhe fotografi të festimeve që ndodhën pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar që pas vitit 1937.

Ekspozita “Nga Nëntorët vijmë në Nëntorë shkojmë” do të qëndrojë e hapur deri më 28 Nëntor.

Klan Plus