Gjermania e Franca nisin masat. Dalja jashtë vetëm për punë dhe ilaçe

Dy nga ekonomitë më të mëdha të Evropës, Franca dhe Gjermania po rivendosin sërish bllokimin kombëtar si pasojë e rritjes së rasteve me Covid-19. Nga e premtja, njerëzit në Francë do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për punë, ose për arsye mjekësore. Vizitat tek të afërmit dhe udhëtimet janë të ndaluara. Izolimi kombëtar do të zgjasë deri në datën 1 Dhjetor dhe kjo vetëm në varësi të rasteve. Shkollat do të qëndrojnë të hapura, por aktivitetet e universiteteve do të kufizohen.

Gjermania, ndërkohë, po vendos një bllokim më pak të ashpër kombëtar. Masat që hyjnë në fuqi të hënën dhe që do të zgjasin deri në fund të Nëntorit, nuk janë aq të gjera sa në Francë, por ato përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatrove. Shkollat do të vijojnë të jenë të hapura.

Infeksionet po rriten ndjeshëm në të gjithë Evropën, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar e cila në këtë 24 orësh regjistroi 310 vdekje dhe mbi 24 mijë raste të reja të prekurish.

Italia, e cila ishte epiqendra evropiane në fillimin e valës së parë të virusit, ka marrë tashmë kufizime të reja të cilat do të jenë në fuqi për një muaj. Të gjithë baret dhe restorantet në të gjithë vendin duhet të mbyllen deri në orën 18:00. Palestrat, pishinat, teatrot dhe kinematë duhet të mbyllen. Ndalohen dasmat, pagëzimet dhe funeralet me më shumë se 6 persona. Shkollat dhe vendet e punës nuk po mbyllen, por shumë shkolla të mesme do të kalojnë në mësimin në distancë.

Masat e reja kanë bërë që njerëzit prej disa ditësh të protestojnë. Policia në Romë përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Sheshi Piazza del Popolo, u shndërrua në vend lufte ku protestuesit digjnin çdo gjë që ndodhej përreth. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, protestuesit shihen duke hedhur gurë, shishe dhe sende të tjera të kundër policisë.

Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Torino, Milano dhe Napoli. Mbi 500 tregtarë, studentë, por edhe përfaqësues të së djathtës Forca Nuova u mblodhën në sheshin qendror të Genovas duke protestuar kundër rregullave anti-Covid 19.

Aktualisht numri i të infektuarve në të gjithë botën ka shkuar në 44.8 milionë nga ku mbi 1.1 milionë persona kanë humbur jetën. Europa bëhet kështu kontinenti i vetëm që rikthen izolimin pas 8 muajsh.

Klan Plus