Rama: Në Lungomare s’ka muzikë, por ndotje akustike

LAJM I PËRDITËSUAR | Komiteti Teknik i Ekspertëve vendos të ndryshojë orarin e lejimit të muzikës në bare dhe restorante duke e zgjatur atë edhe me 1 orë më shumë. Në mbledhjen e kësaj të hëne, Komiteti ka lënë në fuqi të gjitha masat e tjera kundër pandemisë.

“Komiteti i Ekspertëve, duke u bazuar në të dhënat e hetimit epidemiologjik për rastet e infektuara, duke u bazuar dhe në vijimësinë e procesit të vaksinimit si dhe vaksinimin masiv si një nga elementët kryesorë të mbrojtjes nga infeksioni, propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës nga 22:00 që e kemi patur, në orën 23:00”

Ky ndryshim i orarit që hyn në fuqi që prej së martës u paralajmërua më herët edhe nga kryeministri Edi Rama në një reagim për protestën e sipërmarrëseve të bareve dhe restoranteve në Lungomare të Vlorës, që kërkojnë zgjatje të orarit të lejimit të muzikës.

“Siç është lajmëruar, nga data 20 Korrik muzika do të ndalet në 23:00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”.

Rama është i prerë për ndalimin e muzikës gjatë natës në zonat e banuara të cilën e cilëson ndotje akustike.

“Protestë në Lungomare për muzikën? 1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë 2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit”.

Po bizneset e Lungomares janë tubuar sërish mbrëmjen e së hënës duke mos u tërhequr nga kërkesat e tyre. Një protestë për zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës zhvilluan edhe bizneset e Shëngjinit dhe Tales, përfaqësues të të cilëve u grumbulluan përpara bashkisë së Lezhës.

Tv Klan