Lindita Shosha ushtron prej 33 vjetësh profesionin e kirurges, një luftë e vazhdueshme, e përditshme, kurajoze me vdekjen për të shpëtuar jetën e pacientëve. Por pasi heq uniformën e kaltër, dorezat e bardha dhe shkon në shtëpi, kirurgia ‘braktis’ bisturinë për të marrë në dorë penelin, kavaletën dhe ulet përpara një telajo për ta lënë imagjinatën të vrapojë. Duart që paradite ishin të përgjakura ngjyrosen nga një mori bojërash që i japin formë një pikture.

Këtë pasion të veçantë që e ndan me “Rudina” në Tv Klan, Shosha e ka nisur 8 vite më parë. Çdo metodë, përzierje ngjyrash, teknikë e ka mësuar në mënyrë autodidakte dhe pikturat e saj janë shtuar ditë pas dite. Disa ndodhen tek miq e të afërm, të tjera në spitalin ku punon dhe një pjesë në shtëpinë e saj që i përngjan tashmë një galerie. Kirurgia shprehet se bisturia do të jetë gjithnjë peneli i saj, por arti është një arratisje nga ngarkesa e përditshme.

Lindita Shosha: Unë gjithmonë e them, vazhdoj ta them që unë jam një amatore në art. Unë jam një profesioniste në mjekësi, por asnjëherë nuk është vonë që njeriu hobet e tij, ëndrrat e tij t’i realizojë edhe në një moshë… kurrë s’do më kishte shkuar në mendje që 44 vjeç unë do merrja një penel, asnjëherë. Në duart e mia gjithmonë ka qenë bisturia dhe ai është peneli im, është bisturia.

Rudina Magjistari: A gjeni lidhje midis pikturës dhe kirurgjisë?

Lindita Shosha: Po, mendoj që lodhja dhe stresi shumë i madh që ne kemi ka aktivizuar mendoj, një hobi të veçantë. Gjen truri hapësira se si të relaksojë veten dhe mbase kjo ka qenë një gjë që më ka shtyrë drejt pikturës, lodhja dhe stresi shumë i madh duhet të shpërthenin diku dhe më mirë që më dha këtë pasion, pikturën sepse është shumë relaksuese, është shumë e paqtë.

Vitin e shkuar Lindita Shosha realizoi edhe ekspozitën e saj të parë./tvklan.al