Juristi dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca ka paralajmëruar se do të dërgojë në gjykatë juristin dhe sekretarin ligjor të PD Çlirim Gjata për deklaratën e këtij të fundit për 812 mijë Euro.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Gjata tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë abuzime me 812 mijë Euro, duke drejtuar gishtin nga Plarent Ndreca.

Ndërsa ky i fundit sqaroi se Prokuroria e ka pushuar çështjen e referuar nga KLSH për 812 mijë Eurot dhe paralajmëroi se do të dërgojë në gjyq Çlirim Gjatën.

Plarent Ndreca: E ftoj zotërinë, meqënëse e bëri personale, ta tregojë ai nesër në Gjykatë. Dhe ti ke kamerat dhe një televizion kaq serioz për t’i vënë kamerat në dispozicion të kësaj çështje dhe bashkë me z.Gjata ne do shkojmë nesër në Gjykatë. Dhe z.Gjata e ftoj ta provojë këtë gjënë. Jo vetëm kaq, por nëse ai provon se unë kam qenë ndonjëherë në hetim nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë, atëherë

Çlirim Gjata: Jo jo mos e dridh. Prokuroria nuk e merr në hetim, thashë, sepse e keni ju.

Plarent Ndreca: Unë e di shumë mirë se çfarë the. Nesër me CD unë e marr dhe bashkë do shkojmë në gjykatë. A je i gatshëm? Meqënëse është kaq i shqetësuar zotëria, bashkë me mua të shkojë në Prokurori ose në Gjykatë, ku të duash ti. Dhe nëse ti arrin të provosh, se the që unë paskam vjedhur, por jo vetëm kaq, por nëse provon që unë kam qenë nën hetim ndonjëherë, atëherë ti ke të drejtë. Unë kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Detyra ime funksionale është të firmos…..

Çlirim Gjata: Këtë çështje e ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit, 812 mijë Euro abuzime. Kam thënë, Prokuroria nuk e heton sepse e kanë kapur këta. Dhe ti mos zotëri je peng i kësaj. Se KLSH është me dokument. Pse nuk e heton Prokuroria? Shko në Gjykatë.

Plarent Ndreca: O zotëri, nuk më intimidon ti dot, as 10 sa ti. Sepse kam kaluar si puna jote pafund. Se kështu jeni mësuar ju, për të intimiduar e për të shmangur argumentin.

Çlirim Gjata: Po po, ju merrni 800 mijë Euro edhe intimidojmë ne.

Plarent Ndreca: KLSH bën 1 mijë kallëzime për kë i teket atyre. Organi që verifikon këtë është Prokuroria Shqiptare. Jo vetëm që s’ka parë abuzim gjëkundi tek unë, por as nuk ka marrë kurrë në hetim se s’ka lidhje me mua fare kjo çështje. Dhe e ka pushuar çështjen me një vendim të formës së prerë. Tani atë fjalën që unë paska vjedhur, do ta shikojmë nesër në Gjykatë sa ka vjedhur.

Por si u zhvendos diskutimi nga kriza politike dhe situata pas 30 Qershorit, tek debati mes Plarent Ndrecës dhe Çlirim Gjatës për 812 mijë Euro? Ndiqni videon më poshtë:

Plarent Ndreca: Kështu e kanë politikën këta, këta vijnë për t’u zënë, për të bërë grusht edhe për të hedhur molotov. Unë s’e kam kështu. E transmeton në studio ai.

Çlirim Gjata: Këta politikën e kanë të vjedhin 800 mijë Euro. Ia ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kur vjedh 800 mijë Euro, normal që vjen këtu të mbrosh sepse je peng.

Blendi Fevziu: E ke me Ndrecën ti këtë?

Çlirim Gjata: Po po po, e ka nxjerrë KLSH që ka abuzuar 812 mijë Euro.

Plarent Ndreca: Po ça thu mo. Mos ja fut kot.

Çlirim Gjata: Po kështu është kur s’ka Prokurori.

Plarent Ndreca: Mos ta kthejmë personale, se po e kthyem personale nuk dihet ku del kjo histori.

Çlirim Gjata: Hajde dalim ku të duash.

/tvklan.al