Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin “Tragjasi”, si rezultat i të cilit janë arrestuar dhe proceduar penalisht autorët e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, konkretisht:

Janë arrestuar shtetasit P. S., 37 vjeç, banues në fshatin Drashovicë dhe G. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Janë proceduar penalisht shtetasit M. R., 43 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë kryeplak i fshatit Tragjas dhe shtetasi A. R., 37 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë elektricist i zonës në fshatin Tragjas.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 53 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar fidanë të dyshuar canabis sativa në territorin e banesës së shtetasit G. B., në fshatin Tragjas.

Po ashtu, në banesën e shtetasit G. B është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 53 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit T. T. u gjetën disa fidanë narkotikë të kultivuar në një ambient të banesës, 1 armë zjarri automatike, 3 armë gjahu teke, 2 thika dhe 1 shpatë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme. /tvklan.al