“Më ngeli mendja mos donte më shumë kjo”, Voda mori 1 mijë euro, një celular dhe një arkë peshk

Ish-zëvëndësministrja e Brendshme, Rovena Voda u paraqit para gjykatës duke u përballur me provat që disponon Prokuroria e Posaçme, në ngarkim të saj. Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi për Vodën dhe avokaten Majlinda Hasani e Florida Beun.

Gjatë zhvillimit të seancës, SPAK ka paraqitur provat duke sqaruar se gjithçka është e përgjuar dhe e fotografuar. Në dosjen hetimore janë të zbardhuar përgjimet mes avokates Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Në bisedën e datës 25 Shkurt të vitit të shkuar, Beu tregon se i ka dhënë Vodës 1 mijë euro, për një vend pune në ministri.

Florida: Më ngeli mendja mos donte më shumë kjo.

Majlinda: Moj ti je budalle edhe aq e ka shumë, rri urtë njëherë se po i hyj njëherë ta hap atë kokën ashtu si di vetë.

Florida: Kam hall se mos donte më shumë që të paktën të na vej në një vend tamam.

Majlinda: Ja thashë unë tashti e do iki prap t’ja them, dëgjo këtu se ajo pesëqind mijë lek do marri do nja dy vjet t’i laj këto që do ju japi juve jo vjen PD, PS e heq gocën i them, mos më çani ….. rri ti se flas vetë unë e hap gojën mirë.

Florida: Se di sa jepet në këto raste?

Majlinda: Mirë me e ke edhe dy do i japësh asaj..

Florida: Po pra tamam. Kam hall… mos ka prit nai dyshe.

Gjithashtu gjatë një përgjimi ambiental mes Majlinda Hasanit dhe Florida Beut, ato kanë biseduar për të blerë Vodës një celularë dhuratë, që do ia jepnin për 8 Mars. Hasani i tregon që Rovena Voda nuk donte celular të markës iPhone, por Samsung.

Majlinda: Prit njëherë, ta bëjë, nuk jepen të gjitha përnjëherë, telefonin për “8 Mars” ishte shumë tha ajo e dëgjove, e dëgjove edhe për peshkun që i thash unë peshk deti të shtrenjtë.

Florida: E dëgjova, ai me të vret se një arkë që do i çojmë ne, do i them vëllait t’ja bëjë tamam, i shkon 300 mijë lekë pse ça kujton ti se është i lirë.

Ndërsa mbrojtja ka pretenduar se nuk janë në kushte për të caktuar masë sigurie për ish-zëvendësministren Rovena Voda. Avokati i ka mëshuar faktit që klientja e tij nuk ka rrezik që të prishë provat dhe të largohet jashtë vendit, pasi është nënë e tre fëmijëve dhe nuk përbën rrezik që ajo të  kryejë sërish të njëjtën vepër penale.

Qëndrim mohues ka mbajtur edhe Majlinda Hasani. Ndërsa Florida Beu është ndjerë keq gjatë seancës dhe u dërgua në spital. Florida është motra e Emirjan Beut, i cili është në kërkim për korrupsion, pasi ndërhyri tek ish-drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Edmond Kariqi që të pushonte një çështje penale.     

Klan News