Në këtë të dielë zgjedhjesh, emisioni “Opinion” në Tv Klan është në transmetim të drejtpërdrejtë duke ndjekur në kohë reale të gjitha zhvillimet e fundit që lidhen me zgjedhjet parlamentare, të cilat do të përcaktojnë qeverinë dhe kryeministrin e ri të Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar.
Po në “ethet” e zgjedhjeve si ishte atmosfera në kryeqytet?! Materiali i përgatitur nga gazetarja Sibora Bitri jep një panoramë të asaj se çfarë qytetarët shqiptarë mendojnë për të drejtën e votës.
Disa prej tyre e shikonin si një të drejtë, dhe detyrë qytetare, saqë ishin ngritur që në sabah “esëll”, siç thitë një qytetar për të votuar. Kurse disa të tjerë ishin aq shumë të zhgënjyer saqë nuk e kishin çuar fare ndërmend “kryqin” në fletën e votimit. Ja se çfarë thanë një pjesë e qytetarëve:
“Të dalim në votime, pse mos të dalim. Pse ta humbasim votën”.
“Nuk votoj. Pse të votoj, kam 43 vite punë dhe marrë vetëm 230 mijë lekë pension. Nuk votoj se nuk është asnjë për mua. Kam 35 vite që zhgënjehem.”
“Unë votova që në 7:00 të mëngjesit. Unë votoj përherë, jam i ndershëm…”
“Shumë rëndësi ka dalja në votime, sepse është e drejta e çdo shqiptari dhe është shumë e rëndësishme. Mirë, jemi të zhgënjyer, por gjithsesi është e drejta jonë. Është më mirë të votojë se sa jo.”
“Shkova që në mëngjes votova, shkova esëll…”
“Nuk kisha votuar asnjëherë, kësaj here votova. Nuk kisha besim.”
Por, ka dhe ata që votojnë nga halli, “Opinion” sjell një rast, ku në Baldushk nuk voton një komunitet i tërë. “Opinion” sjell rastin Alketa Brahimajt dhe familjes së saj, e cila në fakt nuk ka mundësi të votojë sepse nuk ka asnjë kartë identiteti dhe as para për të nxjerrë një të tillë.
“Jam 48-vjeç. Kam 5 fëmijë, 3 janë të martuar që të vegjël. Ne nuk kemi votuar, këtu tek Ura e Farkës kemi 25 vite që jetojmë dhe nuk vjen njeri të interesohet, pse nuk shkonim që të votonim. Nuk kemi as karta identiteti, nuk kemi as lekë që të nxjerrim karta të identitetit. Kam 3 vjet pa kartë identitetit. Më parë nuk na ka ardhur që të na pyesin a do votojmë, a jo”, tha Alketa Brahimaj.
Njihuni me çdo raportim dhe përditësim minutë pas minute në zgjedhje.tvklan.al! Po ashtu, ndiqni live emisionin maratonë të “Opinion”. KLIKO KËTU!/tvklan.al