Nga serialet e Netflix tek programet më të ndjekur

Nga serialet e Netflix tek programet më të ndjekur

13:02 09/09/2019

Një buqetë e larmishme në sezonin e ri të Tv Klan

Një buqetë e larmishme me emisione të aktualitetit, prodhime më të fundit të kinematografisë botërore e spektaklesh do të jetë ajo çfarë Televizioni Kombëtar Klan do të ofrojë për miliona shikues të tij, brenda dhe jashtë vendit, në sezonin e ri televiziv.

Duke lidhur kontratë me kompaninë amerikane më të madhe dhe më të suksesshme në botë, Sonny Pictures, teleshikuesit e brezave dhe shijeve të ndryshme do të kenë mundësinë të ndjekin ekskluzivisht disa prej serialeve më të njohur të gjigantit Netflix.

“Tv Klan bëhet televizioni i parë shqiptar që merr të drejtën e transmetimit të serialeve më të klikuar të Netflix, duke nisur me “House of Cards”, që është seriali politik më i ndjekur dhe më i përfolur i 5 viteve të fundit. Për të vijuar me “Narcos”, një tjetër serial i cili e ka premierën botërore në Nëntor të vitit 2019. Një tjetër titull, po i suksesshëm është “The Black List”. Do të jetë në transmetim këtë sezon premierë, kryesisht me target të rinjtë, “Hemlock Grove”, tregon Drejtori i Programacionit, Albert Dumani.

Serialet më të ndjekur, që janë bërë pjesë e përditshmërisë së publikut shqiptar, nuk do t’i mungojnë as këtë sezon ekranit të Televizionit Klan.

“Do të jetë “Ironia e fatit”, me të famshmin Tatlitug, i cili do të ketë premierën të dielën në datën 8 Shtator. Do të jetë një tjetër serial turk shumë i suksesshëm,“Bija Ime” dhe në datën 3 Shtator nis premierë një serial brazilian, “Një mundësi e dytë””, shton Dumani.

Stina e spektakleve do të sjellë këtë vit Klanifornian, një prodhim i ri i Televizionit Klan.

Formati ri i emisionit të humorit, nga Turjan Hysko dhe Marina Vjollca, veç emrave më të njohur të aktorëve që ishin sezonin e kaluar pjesë e “Duplex”, ka afruar edhe Olsi Bylykun, Delinda Dishën, Lisa Kujofsen. Marina, bukuroshja e ekranit, do të ketë edhe rolin e moderatores.

“Humori është qendra e humorit Klanifornia, por përveç humorit ka për të qenë një spektakël i garantuar”, shprehet moderatorja Marina Vjollca.

Zhvillimet kryesore të politikës dhe pjesa më e rëndësishme e aktualitetit shoqërojnë publikun me transmetime live çdo mbrëmje, nga e hëna në të enjte, në emisionin më të ndjekur, “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, që hyn në vitin e 23-të të tij.

Ky sezon është konceptuar për të qenë akoma më pranë publikut, pasi disa ngaprogramet me strukturë të përditshme do të vijnë nga e hëna në të shtunë, duke rritur kohën e transmetimit live të Televizionit Klan.

Çdo mbrëmje pas edicioneve informative, emisioni investigativ “Stop” do të vijojë serinë e denoncimeve, për fenomenet negative të shoqërisë sonë dhe do të trajtojë problematika e shqetësime të ndryshme të qytetarëve.

“Aldo Morning Show” do të jetë nga e hëna në të shtunë çdo mëngjes. Programi hit i pasdites “Rudina” do të jetë nga e hëna në të shtunë, në orën 17:00. Po ashtu, edhe “Sfida e Gatimit” me Alfion dhe Indritin do të jetë nga e hëna në të shtunë, në orën 11:00”, zbulon më tej Dumani.

“Zonë e Lirë” e Arian Çanit, do të jetë çdo të premte, në një transmetim maratonë.

E diela mbetet ekskluzivitet i Ardit Gjebreas, që edhe këtë vit premton të argëtojë pafund teleshikuesit me spektaklin dhe larminë e rubrikave.

E hëna është e spektaklit “Dance With Me”, nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.

Ndërsa e shtuna do të ketë në prime time “Jo vetëm modë”, nga Orinda Huta, e cila në mënyrë të vazhdueshme sjell në ekran thuajse çdo gjë të bukur.

“Është publik tjetër, ndoshta ka më shumë njerëz që e ndjekin në shtëpi dhe sigurisht që është një përgjegjësi më e madhe për mua. Është sfidë”, shprehet moderatorja Orinda Huta.

Nga shtëpia do të shëtisni me Alma Çupin, në vendet më të bukura, të sjella në “Histori shqiptare”, ndërsa emisioni “Check In” ju çon këtë sezon në destinacione akoma më të largëta e të mrekullueshme, për të mësuar më shumë rreth tyre.

Skenografia, ndriçimi dhe audio mbajnë sërish firmën e shumë emrave të njohur brenda e jashtë vendit, duke garantuar në këtë mënyrë që të gjitha prodhimet e Televizionit Kombëtar Klan të vijnë në çdo familje me cilësinë më të lartë të zërit dhe figurës.

Tv Klan

Të ngjashme