Shteti i dytë më i varfër i Amerikës së Jugut po përgatitet për një bum në industrinë e naftës që mund ta katapultojë në shtetin më të pasur të kontinentit, e pse jo edhe të botës.

“Shumë njerëz ende nuk e kuptojë se sa e madhe është kjo gjë”, tha Nëntorin e shkuar Ambasadori amerikan në Guyana, Perry Holloway.

Ai tha se në vitin 2020 Prodhimi i Brendshëm Bruto i këtij vendi do të rritet nga 300% në 1000%. “Kjo është gjigante. Ju do të jeni vendi më i pasur në hemisferë dhe potencialisht vendi më i pasur në botë.”

Mund të tingëllojë e ekzagjeruar, por me një popullsi prej vetëm rreth 750 mijë banorësh, të ardhurat e Guayanas për frymë do të kapin qiellin.

“ExxonMobil”, operatori kryesor në Guyana thotë se ka zbuluar më shumë se 5.5 milionë fuçi nafte në ujërat e këtij shteti në Oqeanin Atlantik.

Ish-kolonia britanike, shteti i vetëm anglisht folës në Amerikën e Jugut, aktualisht ka papunësi të madhe dhe varfëri të skajshme.

Zbulimi i naftës bart edhe rreziqet e veta. Rezervat e mëdha të naftës në shtetet e tjera në zhvillim kanë përkeqësuar korrupsionin ekzistues në këto vende, duke sjellë humbjen dhe vjedhjen e kësaj pasurie marramëndesë.

Guyana ndodhet përballë sfidës që këtë pasuri ta shpërndajë në mënyrë që të përfitojnë të gjithë banorët e këtij shteti të vogël. Por një krizë politike e muajve të fundit, e shoqëruar me protesta, shihet si një shenjë e hershme, jo e mirë, në këtë shtet.

Në Sophia, një prej lagjeve më të varfra të kryeqytetit Georgetown, BBC thotë se ka pak optimizëm.

Banorët janë të shqetësuar se nafta mund të sjellë më shumë të këqija për ta sesa të mira. Kjo si pasojë e ngjarjeve në nivelin politik. Ndërsa si shembull të këqij tregojnë zhvillimet në shtete si Guinea, Nigeria dhe Venezuela. /tvklan.al