Vetëm 150 sportele fizike në vend

Duke nisur nga kjo e dielë, mbi 95% e shërbimeve që ofrohen nga institucionet publike do të mund të aksesohen vetëm online. Për çdo dokument, sipas vendimit të qeverisë, qytetarët duhet të aplikojnë në faqen e E-albanias, për të marrë një përgjigje që ju vjen vetëm në mënyrë elektronike dhe me vulë digjitale.

Të vetmet shërbime që nuk do të ofrohen online pas 1 Majit janë regjistrimi i lindjeve  dhe  i martesave, apo disa të tjera që jepen ne zyrat noteriale që kërkojnë si domosdoshmëri praninë fizike.
Për të asistuar për të tilla procedura 150 zyra te gjendjes civile do të vijojnë të jenë funksionale në të gjithë vendin. Po ashtu pas aplikimit online , pjesa tjetër e procesit për të tërhequr kartën e identitetit apo të pasaportën do të realizohet me praninë e qytetarit.

Shërbimet do të aksesohen edhe nga emigrantët, që do të mund t’i marrin dokumentet në mënyrë elektronike, të cilat në rastin e certifikatave mund të disponohen edhe ne gjuhë të tjera përveç asaj shqipe. Kryeministri Edi Rama shprehet se në këtë mënyrë qytetarët do të kursejnë kohë, do të shmangin radhën, burokracitë e zvarritjet, si dhe po ashtu do t’i japin fund korrupsionit në këmbim të një shërbimi të caktuar.

Edi Rama: Nga nesër s’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror! Nga nesër, shërbimi i dokumenteve vetëm në e-albania.

Sipas një raporti të BERZH-it, Shqipëria i ka rritur shërbimet digjitale nga 44.1% në 83% në vitin 2020 duke u ngjitur në vendin e 17 mes disa vendeve në botë për shërbimet digjitale qeveritare.

Tv Klan