Edukimi i fëmijëve është një temë që zë një vend të rëndësishëm në mendjen e prindërve në përpjekje për të mos lënë mangësi në formimin e tyre.

Përpjekja nis që në shtëpi me modelet e prindërimit për të kaluar më pas në institucionet e përshtatshme si çerdhja, kopshti apo shkolla. Kureshtja e fëmijëve është një faktor që i dallon ata nga të rriturit pasi e konceptojnë çdo gjë si të re dhe ndiejnë nevojën për ta zbuluar dhe kuptuar.

Ndonëse metoda klasike e disiplinimit dhe të nxënit teorik është praktikuar gjatë në arsimim dhe edukim, ka nisur një ndërthurje e saj me stimulimin e krijimtarisë për të rritur iniciativën dhe aftësinë e zgjidhjes së problemeve.

Prej disa vitesh tashmë, është kuptuar se forma më e mirë e të edukuarit është nëpërmjet ndërthurjes së artit dhe argëtimit. Vetë arti është një formë e të shprehurit të emocioneve që i nxit fëmijëve kuriozitetin dhe vetëbesimin për të ngritur pyetje duke nxitur shprehinë.

Të ftuarat në emisionin “Rudina” në Tv Klan folën më gjatë lidhur me këtë temë dhe se si arrin të funksionojë kjo mënyrë te fëmijët, si e përthithin dhe reagojnë ata ndaj saj.

Rudina Magjistari: Metodat argëtuese figurojnë ato më të suksesshmet. Nuk e di sa bien dakord prindërit shqiptarë në gjithë këtë, por do ta diskutojmë nëse e mendojnë kështu, po kështu edhe për mësuesit të cerdheve, kopshteve e shkollave, por duket sikur gjithnjë e më tepër vend në mësimdhënie dhe mësimnxënie po zë ajo argëtuese, kreative. Cili është mendimi juaj? Sa ëshët i rëndësishëm argëtimi ose arti, ngremë një paralelizëm midis tyre për të zhvilluar inteligjencën e tyre?

Lorela Garuli (psikologe): Po e nis nga psikologjia, është një lloj postulate dhe gjithmonë fëmijët përpara se të flasin, gugasin, këndojnë, imitiojnë melodi. Sapo çohen në këmbë, bëjnë lëvizje që imitojnë kërcimin e të gjitha. Përpara se të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë, zhgarravisin, vizatojnë, përdorin ngjyrat, kështu që kjo mendësi, kjo qasje, në njëfarë mënyre formulon që artin duhet ta shohim si mënyrë edukimi, i paraprin edhe didaktikës apo pedagogjisë tradicionale. Për fëmijët është shumë i dashur arti dhe loja, prandaj ne kemi edhe terapi të posaçme për to. Me grupmoshat apo fëmijërinë e hershme, apo me moshën parashkollore dhe shkollore, ne punojmë shumë më lehtë, me anë të një vizatimi, loje, interpretimi qoftë edhe teatral, kur fëmija është një regjisor i vogël me ato kukullat dhe na tregon një histori se sa të bëjmë një intervistë të strukturuar.

Rudina Magjistari: Në fakt, si funksionon, si arrit të mësojë fëmija nëpërmjet argëtimit ose artit?

Klaudia Tufa (piktore): Mendoj se është krej instiktive, nëpërmjet lojës ai e ndjen që të futet në proces dhe po u fut në proces, iku pjesa e parë, për mendimin tim, ky është hapi i parë drejt të nxënit në momentin që nis të luajë me materialet e vëna para dhe në vende të tilla, që janë kreative, jo më kot bëhet kjo. Vihen materiale të posaçme që të ndihmojnë dhe të nxënë, që të ndihmojnë në bahskëveprim në lojë që të ketë benefite. Kjo fillon nga mosha 0 vjeç, nuk ka ndonjë moshë, të nxënit fillon që sapo lind fëmija. Me anë të lojës, ai fillon të lëvizë duart, të lëvizë gjymtyrët, të nuhasë, të zhvillojë pjesën e koordinimit sy-dorë dhe të hyjë në proces. Me zhvillimin e moshës, ai zhvillon të gjitha këto aftësi dhe shpreh artin ose kreativitetin e tij.

Rudina Magjistari: Cilat janë materialet që sugjerohen me të cilat një fëmijë duhet të punojë?

Elda Rika (drejtoreshë e shkollës “TES”): Sa më herët, aq më mirë. Materialet janë nga më të gjerat. Mund të them diçka për një qasje që e përdorim në kopshtin tonë, është një nga më të shquarat në botë, është qasja e Reggio Emilias që studiohet nga universitet që merren me psikologjinë e fëmijës dhe zhvillimin e të nxënin. Si bazë të saj të punës, ka pikërisht artin, jo artin për të krijuar artistë, por artin si një mënyrë të shprehjes, të të kuptuarit të botës që na rrethon, të materializimit të ideve dhe të mendimve të fëmijës. Fëmija ka shumë gjuhë. Të folurit është një gjuhë, gjuhët janë piktura, puna me baltë, kërcimi…

Rudina Magjistari: Kënga…

Elda Rika: Kënga, muzika, drama, puna pamore, puna me tel, janë gjuhë nga më të ndryshmet ku fëmija gjen veten për të shprehur atë që ndjen përbrenda./tvklan.al