Dy nëna ukrainase tregojnë se Mariupol tanimë është shkatërruar dhe kriza humanitare po thellohet

Alisa Artiukh dhe Yuliia Boiko u strehuan nën tokë për dy javë në qytetin e shkatërruar Mariupol, kur u mbaruan ushqimet dhe shpresa për të ardhmen e fëmijëve të tyre të vegjël. Duke mbajtur vetëm ujë, biskota, rroba, nënat ecën me dy djemtë e tyre jashtë qytetit, duke kaluar minat dhe trupat e pajetë, për të nisur një udhëtim tetë-ditor që i çoi ata në një fshat të vogël çek.

Tani ne duhet të ndërtojmë një jetë krejtësisht të re dhe ne pamë kushtet e jetesës në Republikën Çeke, mbështetjen sociale që ata mund të ofrojnë për fëmijët, është shumë e rëndësishme për ne, sistemi arsimor. Dhe vendosëm të qëndrojmë këtu. Këtë javë ne do të shkojmë dhe do të regjistrohemi. Shpresojmë që së shpejti fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të fillojnë të përshtaten me jetën e re”, tha Alisa Artiukh.

Bombat shkatërruan apartamentin e Artiukh, për të cilin ajo kishte marrë kredi. Ndërsa shtëpia e Yuliia-s u godit nga një sulm ushtarak dhe dokumentet e saj më të rëndësishme u dogjën.

E dini, mendja dhe zemra ime rrinë për këtë kohë në Mariupol. Me familjen time, nuk e di se çfarë ka ndodhur me ta. Ne vërtet nuk dimë asgjë për ta sepse nuk kemi asnjë komunikim. Kthehu në Ukrainë? Pyetje e bukur. Ne nuk kemi një vend ku mund të kthehemi mbrapa sepse çdo gjë është e shkatërruar, atje nuk jetohet më. Ne nuk i kemi fare shtëpitë tona. Pra, tani për tani, ne mendojmë të qëndrojmë në Republikën Çeke”, tha Yuliia.

Dhjetëra mijëra civilë janë bllokuar për javë të tëra në qytetin port të Detit të Zi, shumë në bodrume të cilët kanë shumë pak ushqime, ujë dhe ilaçe. Dikur shtëpia e 400,000 njerëzve, Mariupol është rrethuar dhe shkatërruar nga bombardimet që nga ditët e para të agresionit rus.

Që 24 Shkurti, më shumë se 4.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina, ku shumica kanë kaluar në Bashkimin Europian. Disa refugjatë janë zhvendosur më në perëndim, shumë prej tyre kanë qëndruar në vendet e Europës Qendrore si Republika Çeke dhe Polonia.

Klan News