Tre producentët e njërit prej spektakleve më të ndjekur në SHBA, ‘Ellen DeGeneres Show’, janë pushuar nga puna për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme ndaj punonjësve.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë drejtuesja e spektaklit, DeGeneres, e cila në një mbledhje me stafin i vuri në dijeni të këtyre ndryshimeve dhe tha gjithashtu se ka nisur një hetim i brendshëm për këtë çështje.

Sipas “Hollywood Reporter”, në mesazhin që ajo i kishte dërguar stafit, ndër të tjera shkruhej se ndihej keq për gjithçka që ka ndodhur.

Largimi i tre producentëve të emisionit vjen pas akuzave të shumë gazetarëve, që janë ankuar se në spektaklin e Ellen Show janë përballur me keqtrajtime, sjellje të pahijshme, racizëm dhe ngacmime seksuale.

Në reagimet e mëparshme, producentët Ed Glavin, Kevin Leman dhe Jonathan Norman kishin mohuar të gjitha këto pretendime duke i konsideruar si sajesa. /tvklan.al