I mësojmë fëmijët që të mos e bëjnë. Nuk është higjienike. Është diçka e pahijshme për t’u parë.

Por le të jemi realistë. Pjesa më e madhe e ngacmojnë hundën. Madje në bazë të një studimi të vjetër (dhe të vetmit), rreth 91 përqind e njerëzve duket se e bëjnë këtë veprim, ndoshta duke treguar se as shkencëtarët nuk duan të flasin rreth kësaj gjëje. Nëse e mendon, nuk është diçka e pazakontë të shohësh dikë që ka futur gishtin në hundë, fshehurazi ose jo.

Përtej faktit që është një ves i pahijshëm, sipas asaj që shkruan CNN, ngacmimi i hundës mund të jetë edhe i rrezikshëm.

Jo vetëm që njerëzit me këtë xhest përhapin bakteret e tyre dhe viruset tek diçka që prekin më pas, por ata transferojnë edhe mikrobet nga thonjtë tek hunda, diçka që ekspertët padyshim që nuk e këshillojnë.

Sidomos në një kohë pandemie si kjo që po jetojmë. Ekspertët amerikanë thonë se koronavirusi mund të përhapet edhe me anë të kësaj mënyre, së bashku me viruse të tjera të zakonshme.

Hunda është një prej 3 mënyrave kryesore sesi viruset futen në trup. Dy të tjerat janë goja dhe sytë. Hunda ka disa sisteme mbrojtëse për të mbajtur larg patogjenet, përfshirë qimet që ndodhen në të dhe membranën mukoze.

Lagështia që gjendet në hundë “ka gjëndra mikroskopi që sekretojnë mukozë në rrugët e frymëmarrjes, si mekanizëm mbrojtës. Kjo përfshin polenet, pisllëkun e pluhurin, gjithashtu dhe gjëra mikroskopike, ku përfshihen bakteret e viruset”, thotë specialisti amerikan i sëmundjeve infektive Paul Pottinger.

Disa prej mukozave janë të mira e të shëndetshme, sepse mbajnë jashtë papastërtitë. Por kur thahen së bashku me ato që ka mbledhur krijohen ato që shkencëtarët i quajnë kore. Dhe kur ndjen një të tillë në hundë, vjen lehtësisht nevoja për ta nxjerrë jashtë, pa e menduar.

Ajo që shumë njerëz nuk kuptojnë është sesa delikate është lëkura brenda hundës. Ngacmimi i saj mund të krijojë kore të vogla në zonat delikate, si zgavra hundore. Një moment që kjo barrierë dëmtohet, kalohet menjëherë në muret kapilare, që bëhet përcjellës për infeksionet virale./tvklan.al