Sejko: Ka rreziqe nga jashtë, por dhe nga situata politike në vend

Banka e Shqipërisë mund të bëjë sërish një lëvizje lehtësuese në politikën monetare, duke ulur nën nivelin 1% normën bazë të interesit të Lekut.

Alternativën për të vepruar e la të hapur Guvernatori Gent Sejko gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, duke ia faturuar këtë masë shtimit të pasigurive në ekonominë vendase dhe forcimit të rreziqeve.

“Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri dhe ku goditje të papritura në kursin e këmbimit mund ta shmangin atë më tej nga ekuilibri. Përkeqësimi i skenarit tonë bazë apo materializimi i goditjeve të rrezikut, mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare”.

Kreu i Bankës Qëndrore tha se rritja ekonomike përgjatë këtij viti do të jetë e ngadalësuar, ndërsa vetë Banka ka shtyrë pritshmëritë për rikthimin e nivelit të inflacionit në objektiv në fund të vitit të ardhshëm.

“Informacioni i ri i marrë në analizë tregon një ngadalësim të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit dhe një rënie të normës mesatare të inflacionit në 3-mujorin e dytë. Kahu i këtyre zhvillimeve ishte i pritur nga Banka e Shqipërisë, por ngadalësimi i ritmit të rritjes rezultoi më i lartë se pritjet tona”.

Lidhur me forcimin e Lekut në këtë periudhë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në kursin e këmbimit kanë ardhur për shkak të rritjes së ofertës së valutës gjatë sezonit turistik.

Tv Klan