Mbërriti nga Brazili, kaloi në Durrës e ndjekur nga policia

Këto janë kutitë e mishit të nisura në një konteiner nga Brazili ku fshiheshin 400 kilogramë kokainë me vlerë 20 milionë Euro. Destinacioni i drogës ishte kjo magazinë në Lipjan të Kosovës ku u sekuestrua nga policia në një operacion të përbashkët të autoriteteve italiane, SPAK në Shqipëri dhe Prokurorisë së Kosovës.

Sinjalizimi i parë për sasinë e madhe te kokainës të nisur nga Amerika Latine erdhi nga DEA amerikane që njoftoi autoritetet italiane. Menjëherë u vendos që ngarkesa të mbahej nën mbikëqyrje për të identifikuar pritësit e saj.

Kamioni kaloi nga portet italiane dhe rreth 15 ditë më parë mbërriti në Portin e Durrësit. Burimet thanë se konteinerit iu vendos një çip për ta ndjekur lëvizjen e tij deri në destinacion. Me mbërritjen në kompaninë e importit të ushqimeve Policia e Kosovës ka vënë në pranga 7 persona për të cilët autoritetet nuk bënë publik identitetin ndërsa janë sekuestruar të holla dhe makina. Autoritetet thanë se operacioni vijon si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Ngarkesa ishte porositur nga një kompani e themeluar 7 muaj më parë nga 2 biznesmenë njëri nga Kosova dhe tjetri nga Shqipëria. Mes të ndaluarve është shoferi i kamionit që nuk e ka pranuar të kishte dijeni për përmbajtjen e ngarkesës.

Tv Klan