Një shqiptar është arrestuar në Greqi në afërsi të qytetit Mavromati duke transportuar një sasi kanabisi. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, po transportonte lëndën narkotike me një automjet.

Droga ishte fshehur në pjesën e pasme të automjetit, në një vend të improvizuar mes sediljeve dhe hapësirës së bagazhit. Kanabisi u zbulua me ndihmën e qenit antidrogë dhe pas peshimit rezultoi 15 kg kanabis.

Shqiptari kishte hyrë në tokën greke duke kaluar nga dogana e Qafë Botës. Burime nga Policia Kufitare bëjnë me dije se droga nuk u trafikua në Greqi nga Shqipëria.

Sipas burimeve, mësohet se gjatë kalimit në pikën kufitare të Qafë Botës, automjeti i të arrestuarit ishte kontrolluar imtësisht sipas procedurave dhe kishte rezultuar i pastër. Pasi automjeti u ndalua në tokën greke dhe iu zbulua lënda narkotike, pati shkëmbim informacioni mes palës greke dhe asaj shqiptare për të mësuar nëse droga kishte kaluar përmes doganës.

Nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë gjatë kqyrjes së automjetit nga agjentët shqiptarë dhe më pas ata grekë, nuk ka rezultuar që në makinë të ishin fshehur pakot me kanabis. Burimet policore i kanë thënë tvklan.al se dyshohet që shqiptari ta ketë marrë drogën në afërsi të një lokali në Greqi pasi ka kaluar doganën e Mavromatit nga pala greke.  /tvklan.al