Ngatërresa mes Tatimeve e bankës, “Stop” zgjidh pagën e luftës së taksistit



Ngatërresa mes Tatimeve e bankës, “Stop” zgjidh pagën e luftës së taksistit

21:20 02/10/2020

Ardian Kadiasi tregon në “Stop”, se prej 11 vjetësh punon si taksist dhe paguan rregullisht detyrimet.

Në kohën e pandemisë, kur u ndalua puna, ai aplikoi tek tatimet për pagë lufte dhe kërkesa u aprovua. Pasi mori këstin e parë, prej 26 mijë lekësh, nuk po merrte të dytin dhe të tretin në shumën 520 mijë lekë.

“Jam tatimpagues i rregullt, i paguaj tatimet në rregull. Kam aplikuar për pagën e luftës si të tjerët. Të tjerët i kanë marrë në rregull, unë vetëm një muaj kam marrë. Kam marrë pagën e parë më 23 Prill. Që atëherë e deri tani jam sorollatur”, tha ai.

“Kam vajtur për të marrë pagën e dytë tek banka edhe më thanë që nuk ka ardhur. Ekonomistët më kanë thënë që numri i IBan-it ka ardhur gabim. E korrigjova dhe e ndërroi. Kam ngelur pa pagë lufte”, tha ai.

Në Drejtorinë e Tatimeve i thonë që është bërë një gabim me IBanin e bankës, por aty thonë, që nuk ka kaluar asnjë shumë.

Ekonomisti Avni Tobli: Ardiani është përfitues i paketës së parë, që përfiton 3 paga nga 26 mijë lekë. Ka plotësuar një formular, që e nxjerr tek faqja e tatimeve. Më 16.04.2020 i është miratuar paga, por ka pas një problem me IBan-in ose bankën, e ka dhënë gabim. Komunikimi me Tatimet bëhet nëpërmjet një menyje tek “Çështjet e mia”, ne ngarkojmë çfarë kemi. Ne i kemi bërë një kërkesë. Ka komunikuar me inspektorët, i kanë thënë, që do ta korrigjojmë. Tek “Çështjet e mia”, tek çështjet e dorëzuara ke kërkesat e depozituara të Ardianit. Ato i kanë kthyer një përgjigje : “Më poshtë gjeni linkun orientues!”,  për linkun orientues, nuk thotë “hapje”. Nuk i kanë hap faqe, shkurt muhabeti!

Tani që Ardiani të marrë këto dy pagat e luftës duhet që Tatimet t’i hapin një faqe me këtë ndryshimin?

Ekonomisti Avni Tobli: Po pra! T’i japin mundësinë, të korrigjojë numrin e llogarisë e vendosur gabim!

Unë jam Odeta, gazetare e “Stop”. Kam ardhur për një problematikë, ka ndonjë zëdhënës këtu?

Punonjësi i Tatimeve: Po! Për çfarë?

Bëhet fjalë për një taksist që ka aplikuar për pagë lufte. Ka aplikuar për pagën e parë, e ka marrë këstin e parë. Kësteve të tjera i ka ndodhur një problem te IBan-i. Ka ardhur edhe ekonomisti dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje…

Punonjësi i Tatimeve: Ndryshimin tek i pari ekonomisti e ka bërë?

Po po sigurisht…

Punonjësi i Tatimeve: Do më japësh 2 sekonda kartën e identitetit?

Vajtëm tek banka me këtë numër llogarie që të tërhiqnim lekët e personit. Na nxorrën numrin e llogarisë tjetër.

Punonjësi i Tatimeve: Po, mos e ka dhënë gabim, o biri vogël! Se këtë ka deklaruar vetë personi.

Ka sjellë një kërkesë pastaj me këtë tjetrën.

Punonjësi i Tatimeve: Po këtë kërkesën ia ka bërë financier për ndryshim? Ishallah pra! Ja do pyesim edhe një herë. Të pyes ato të financës, si të vazhdojmë më tutje.

“Numri i llogarisë është ndryshuar pas datës në të cilën është bërë sistemimi i pagave. Rregullimi për pagesën do të bëhet pasi fondi të kthehet nga Alfa Bank”, ishte përgjigja nga Tatimet.

Prej 5 muajsh vijon e njëjta histori. Pas interesimit të gazetares dhe koordinimit mes Alfa Bank dhe Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, qytetari Ardian Kadiasi mundi të tërheqë pagën e luftës, për të cilën sorollatej prej muajsh.

Zëdhënësi: Ne po presim, që të na vijnë lekët mbrapsht, edhe një herë nga “Alfa Bank”, nga llogaria e vjetër ne ia dorëzojmë, ia kalojmë direkt tek llogaria e re.

Mirëpo sipas llogarisë referuar nga Tatimet sistemi i Alfa Bank e nxjerr të mbyllur këtë llogari që më 26 Qershor. Është e pamundur që kalimi i pagës të jetë bërë dy muaj më vonë.

Juve nuk mund të pretendoni që ia keni kaluar këtë llogari

Zëdhënësi: Ne na thotë financa, që ka kaluar tek llogaria e vjetër.

Nuk ka kaluar sepse ka qenë e mbyllur e vjetra, as tek e reja?

Specialist PR Tatime: Unë kaq di të bëj! Jam PR.

Je PR ti, por unë po të jap argumente, ti nuk mund të më thuash që nuk ka kaluar te llogaria e re kur unë e kam sistemin që nuk ka kaluar asnjë shumë

Zëdhënësi: Po ke të drejtë, po unë s’di…mund të komunikosh me një person, që ka informacion  më shumë se unë!

Po mos më jep informacion pra.

Zëdhënësi: Po ky pra është informacioni, që po të jap!

Të kam nis numrin në WhatsApp.

Zëdhënësi: Ok.

Lidhuni me drejtoreshën gjeni një zgjidhje jeni vonuar keni 5 muaj.

Zëdhënësi: Po tani! Në rregull! Faleminderit!

Tatimet janë ato që duhet të veprojnë në këtë rast.

Drejtoresha Irena Xhafa: Përshëndetje, Odeta! Me bankat kemi pasur problematika nga më të ndryshmet. Duke qenë se është shumë kollaj, që gjithmonë t’i hidhet topi i përgjegjësisë Tatimeve, për arsye herë objektive, herë subjektive, gjithmonë fajësia ka ngelur tek Tatimet, por ne problematikat me bankat i kemi pasur në vazhdimësi të të gjithë procesit, sidomos në fillim, kur u kalua paga e parë, meqenëse shumica e përfituesve ishin klientë të vjetër të bankës etj., etj., janë anashkaluar edhe gabime shumë të vogla, që janë bërë gjatë dorëzimit të dokumentacionit, numrin e IBan-it etj, etj… Dhe i është kaluar paga e parë, por ama nuk i është kaluar e dyta dhe e treta në momentin, që janë verifikuar gabimet! Kështu që këto kanë sjellë vonesa në vazhdim. Tani, që u verifikuan gabimet, u stopua dhe procesi dhe po shkon drejt rregullimit.

Drejtoresha Irena Xhafa: Sipas raportimit, që unë kam nga stafi im, më është thënë, që ka shkuar paga e parë në llogarinë x tek “Alfa Bank”, dhe dy pagat e tjera kanë shkuar në po të njëjtën llogari. Pra, tek e para, ku e cila aktualisht sot që flasim është e mbyllur! Pra në atë, që kuptoj unë është, që nuk është bërë në fakt korrigjimi në sistem i llogarisë së zotërisë.

Kur ka kaluar paga e dytë dhe e tretë sepse në datën 26 Qershor është mbyllur llogaria?

Drejtoresha Irena Xhafa: Po pra, tani…

Unë nga letrat e kam që sistemi i zotërisë është bërë në 31/8/2020?

Drejtoresha Irena Xhafa: Po pra, tani unë këtë do të verifikoj, në çfarë llogarie i është kaluar paga e dytë….

Aktualisht e ka nga sistemi që tek asnjëra nuk ka kaluar paga e dytë dhe e tretë?

Drejtoresha Irena Xhafa: Po dëgjo tani, që ato kanë kaluar në një llogari, kjo është e sigurt!

Unë e kam me sistem nga banka.

Drejtoresha Irena Xhafa: Sigurisht! Edhe unë në sistem e kam, që po them!

Dakord, unë atë 31/08/2020 e kam me shkrim dore në fakt dhe unë besoj këta të bankës.

Drejtoresha Irena Xhafa: Pikërisht pra, prandaj po të them, që unë do ta sqaroj me stafin tim, financën në çfarë llogarie është bërë derdhja e dy kësteve të tjera. Në rast se mua nuk më përputhet asnjë nga ato llogari, që ju keni dhënë, pra dhe të vjetrën dhe të renë, atëherë duhet ta zgjidhi individi!

Individi e zgjidh, hap një llogari të tretë, po ku do t’i kalojë fondi?

Drejtoresha Irena Xhafa: Po mirë pra, unë do të zgjidh teknikën, që më takon mua, do të jap një përgjigje, ku është fondi!

Taksisti i mori paratë e pagës së luftës pas gjithë kësaj “lufte”. Problemi u zgjidh brenda një jave.

“Faleminderit emisionit “Stop”, nuk kisha për t’i marrë”, tha Ardiani./tvklan.al






Të ngjashme