Ndonëse në tryezë u ulën për arritjen e një Reforme Zgjedhore të gjthëpranuar mes palëve, dy muaj pas dorëzimit të platformës, demokratët akuzojnë socialistët për bllokim të procesit.
Oerd Bylykbashi: Mazhoranca deri më tani ka pasur një qasje krejt bllokuese, përgjigjet kanë qenë jo, jo, jo.
Pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, nënkryetari i demokratëve Oerd Bylykbashi thotë se opozita nuk tërhiqet nga prioritetet e saj.
Oerd Bylykbashi: Çështja e rikthimit te 5 Qershori, ku elementi thelbësor është koalicioni, formula e përllogaritjes së mandateve, por dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR që thotë rregulla më të mira e më të forta loje, patronazhimi, abuzimi i burimeve shtetërore të jetë vepër penale më e qartë, shitblerja e votës të jetë dhe më e përcaktuar.
Duket se i njëjti fat pret edhe votën e disporës edhe pse Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dy javë më parë u la në tryezë palëve zgjidhjen e kompromisit.
Oerd Bylykbashi: Edhe kjo çështje nuk ka arritur në një dakordësi. Ne kërkojmë që ato të votojnë në 2025-ën me të drejtën e plotë për t’u regjistruar lirisht pa u kondicionuar nga fakti që mund të jenë emigrantë të paligjshëm. PS thotë që nëse s’kanë adresë të ligjshme në emrin e tyre të mos munden të votojnë. Këta të mos kenë drejtën e votës që të shprehin dufin e tyre kundër kësaj keqqeverisje që i detyroi të largoheshin.
Kolegëve të tij demokratë i sugjeron të ndjekin në parlament të njëjtin mekanizëm kondicionues të përdorur nga socialistët në vitet 2009-2013, duke mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar, përfshirë edhe ato të Reformës në Drejtësi që do të rishikohen nga Komisioni Antikorrupsion i ngritur nga mazhoranca.
Oerd Bylykbashi: Atëherë kjo funksionoi. Nuk shoh asnjë arsye pse ligje të tilla duhet të kalojnë pa u marrë në konsideratë më pëpara Reforma Zgjedhore dhe kërkesat tona të ndershme dhe të drejta. Qëndrimi im dhe vota ime ka qenë kundër këtij superkomisioni për këtë arsye.
Për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, garancitë sipas Bylykbashit mund t’i japë vetëm një qeveri teknike, por jo si ajo e vitit 2017.
Oerd Bylykbashi: Kemi Maqedoninë në rastin më të fundit ku qeveria qëndron jashtë zgjedhjeve, nuk pushton zgjedhjet.
Tv Klan