Teksa pritej vetëm një telefonatë e paralajmëruar të premten mes dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ka ende shumë paqartësi në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Palët kanë ngecur në detaje teknike, që po negociohen ndërmjet dy grupeve të punës. Varianti për të cilin është rënë dakord është “Republika e Maqedonisë Veriore”, por ky raportim mbetet jozyrtar.

Sipas mediave greke zvarritja e marrëveshjes vjen si pasojë e mospërmbushjes nga ana e Shkupit të detyrimeve të rëna dakord. Megjithatë kryeministri Zoran Zaev siguroi se telefonata me Ciprasin do të vijë shumë shpejt, sapo ekspertët teknikë të kenë sqaruar edhe detajet e fundit.

Dy krerët e qeverive ranë fillimisht dakord për emrin “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, por pas kundërshtimeve të forta nga opozita greke, ky variant ra.

Sakaq mediat në Maqedoni shkruajnë se takimi mes dy kryeministrave Zaev e Cipras mund të zhvillohet në Prespë dhe se me gjasë aty do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Tv Klan