Prokuroria nuk arrin të gjejë inxhinierë

Prokuroria e Tiranës duket se do e këtë të vështirë me hetimet mbi pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Hetimet kanë ecur me ritme mjaft të ngadalta dhe shkak është bërë mungesa e inxhinierëve në grupin e hetimit. Deri tani në Prokurorinë e Tiranës janë evidentuar 770 ndërtesa të dëmtuara, por pranë këtij institucioni gjendet vetëm një inxhinier.

Tv Klan u interesua pranë institucionit të akuzës për zgjidhjen e këtij problemi dhe pritet që grupit të hetuesve t’u bashkohen inxhinierë të huaj. Sipas prokurorëve, inxhinierët që duhet të hartojnë raportet, nuk duhet të kenë kolauduar ndërtimet që tashmë janë nën hetim. Kjo me qëllim që të shmanget konflikti i interesit. Por kjo e bën më të vështirë gjetjen e inxhinierëve.

Ndryshe nga Tirana, Prokuroria e Krujës vazhdon hetimet. Pas banorëve të mbijetuar në pallatet e Thumanës, janë marrë në pyetje edhe zyrtarë të njësisë administrative në Thumanë dhe persona të tjerë përgjegjës që kanë pasur për detyrë të verifikonin ndërtesat pas tërmetit të 21 Shtatorit.

Ndërkohë, në Prokurorinë e Durrësit janë angazhuar 2 inxhinierë, por edhe këta sipas hetuesve nuk mjaftojnë pasi numri i ndërtesave të dëmtuara është mjaft i lartë. Hetimet janë përqëndruar për zyrtarët e shtetit me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa ndërtuesit me akuzën e ndërtimit të paligjshëm.

Tv Klan