Përpara se të diskutojë me grupet parlamentare të martën mbi ngërçin ligjor të krijuar nga mosmiratimi i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një organ i ri që ngrihet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti i Republikës është konsultuar me konstitucionalistë dhe ekspertë të njohur të jurisprudencës.

Për rreth 90 minuta, siç njofton zyra e shtypit e Presidentit, kreu i shtetit ka diskutuar mbi procesin ligjor të shqyrtimit dhe të përzgjedhjes me anë të shortit të kandidaturave për anëtarët e ardhshëm të Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë. Short i cili hidhet nga Presidenti 5 ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, duke zbatuar përzgjedhjen e anëtarëve kriteret e përcaktuara në ligjin që ende është duke u shqyrtuar nga komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës në Drejtësi.

Në njoftim thuhet se presidenti ka ripërsëritur qëndrimin e bërë publik edhe më parë se çdo aktligj që mban firmën e tij do të bëhet në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Ndërkohë nga Partia Socialiste ende nuk bëhet e ditur nëse do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidenti, për shkak se pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë së grupit parlamentar janë jashtë vendit. Partia Demokratike do të përfaqësohet nga kreu i grupit kuvendor Edi Paloka dhe po ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë në takimin në Presidencë kryetarin e grupit, Petrit Vasili.

Tv Klan