Çështja do diskutohet edhe me aleatët e koalicionit

Në pakon “tema të rëndësishme të javës” kryministri bullgar Kiril Petkov, qëllimisht ose jo, i ka grupuar përpjekjet e qeverisë në Sofje që të ballafaqohet me inflacionin – pasojë e shtrenjtimit të derivateve të naftës dhe negociatat me Maqedoninë e Veriut. Me fjalët se “dëshirojë ta qetësojë shoqërinë bullgare” ai iu drejtua Presidentit Radev.

Kiril Petkov: Ta thirrë Këshillin Konsultativ për Siguri Kombëtare, me pjesëmarrjen e të gjitha partive dhe të gjitha shërbimeve, në të cilin Ministria e Punëve të Jashtme të japë raport për gjendjen e negociatave në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky raport do të diskutohet edhe në Këshillin e rregullt të koalicionit gjatë javës së ardhshme.

Duke shtuar se këtë e kërkon për shkak të tensioneve të shtuara në Bullgari si pasojë e pozicionit në Parlamentin Evropian, i cili këtyre ditëve ka miratuar rezolutë për Maqedoninë e Veriut, edhe në bisedimet me Komisionerin e BE-së për zgjerim Oliver Varhelji me kreun e shtetit në Sofje, Petkov sërish ka shprehur bindjen se nuk udhëheq politikë të posaçme kundrejt Maqedonisë së Veriut, siç e akuzojnë partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit.

Kiril Petkov: Qeveria bullgare nuk do të bëjë asgjë në bazë të presionit ndërkombëtar dhe para se të ketë mirëkuptim të plotë në Këshillin e Koalicionit, diskutimit të pritshëm në Këshillin Konsultativ dhe pozicionit të konfirmuar nga organi më i lartë i këtij shteti – Parlamenti Bullgar. Vetëm Kuvendi Popullor ka mandat legjitim në lidhje me temën Maqedonia e Veriut dhe kjo duhet të jetë plotësisht e qartë për gjithë shoqërinë bullgare dhe për partnerët e jashtëm.

Partia e së djathtës ekstreme bullgare, VMRO, ka bllokuar disa akse rrugor, duke insistuar që qeveria bullgare të mos e heqë veton për negociata aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe të mos hiqet dorë nga kushtet e vendosura për Shkupin. Petkovi është nën presion të fuqishëm, jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga Uashingtoni, ta heqë veton në Qershor dhe ta zhbllokojë zgjerimin e BE-së, posaçërisht e rëndësishme për BE-në në kontekst të luftës në Ukrainë. Autoritetet në Shkup përsërisin se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që t’i hapë negociatat dhe se në tavolinë janë zgjidhje që janë të pranueshme për të dyja palët.

Klan Macedonia