Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që të mos refuzohet kërkesa e opozitës në Këshillin Politik për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR për çështjet që palët nuk bien në dakordësi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se është e domosdoshme që Këshilli Politik të realizojë sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke respektuar marrëveshjen e arritur më 5 Qershor.

“Tani që data e zgjedhjeve është dekretuar pas konsultimit me forcat politike, është domosdoshmëri që Këshilli Politik të realizojë sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me konsensus dhe duke respektuar pikë për pikë Marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit. Kërkesa legjitime dhe parimore e opozitës për të kërkuar ekspertizën e ODIHR nuk duhet refuzuar”, shkruan Meta, i cili shton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëri për çeljen e negociatave.

Kujtojmë që ditën e djeshme, mazhoranca dhe opozita u ulën sërish në tryezë për të diskutuar dy çështje për të cilat nuk janë dakord, koalicionet dhe listat e hapura. Opozita është shprehur më parë se koalicionet janë vijë e kuqe për ta, ndërsa për listat e hapura kanë kërkuar që të merret mendimi i ODIHR-it. Sipas tyre, kështu është rënë dakord që në Janar të këtij viti kur u ngrit Këshilli Politik.

Por ndryshe mendon mazhoranca. Përfaqësuesi i saj, Damian Gjiknuri, deklaroi të hënën se “në ODIHR nuk shkohet me opinione, por me drafte”, dhe se “opozita ka për qëllim që të vonojë, pse jo me qëllimin që ndryshimet kushtetuese të mos implementohen”. Ai tha dje se i kishte kërkuar përfaqësuesve të opozitës që çështja të mbyllet përfundimisht më 30 Shtator.

Kjo ka vënë në lëvizje selinë blu, që ditën e sotme thirri në një takim ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit në Këshillin Politik të opozitës kërkuan një mbledhje ditën e nesërme me qëllim që të propozojnë kërkesën e tyre për ekspertizë të OSBE/ODIHR-it./tvklan.al