Presidenti amerikan thirrje amerikanëve: Demokracia është në fletëvotim

Në prag të përvjetorit të sulmeve të 6 Janarit në Kapitol, Presidenti Xho Bajden ka shënjestruar sërish ish-presidentin Trump, duke e vendosur ngjarjen e vitit 2021 në qendër të fushatës së tij presidenciale.

“Anëtarët e stafit, familjarë të tij, udhëheqësit republikanë që ishin në ato momente, iu lutën atij të veprojë dhe të ndalonte turmën. Imagjinoni të kishte dalë dhe të thoshte: ‘Ndalo’. E megjithatë, Trump nuk bëri asgjë. Ishte ndër shkeljet më të rënda të detyrës nga një president në historinë amerikane”.

Presidenti Biden u zotua se mbrojtja e demokracisë do të jetë premtimi i tij kryesor në fushatë dhe u shpreh se një votë për Trump do të thotë një votë për diktaturën.

“Sot, unë ju bëj këtë premtim të shenjtë. Mbrojtja dhe ruajtja e demokracisë amerikane do të mbetet ashtu siç ka qenë kauza qendrore e presidencës sime. Teksa fillojmë këtë vit zgjedhor, duhet të jemi të qartë se demokracia është në fletëvotim. Liria juaj është tek votat”.

Biden theksoi më tej se Trump po e bazon fushatën tek përpjekja për të kërkuar “hakmarrje” kundër armiqve të tij politikë. Ai u kujtoi amerikanëve se ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka cilësuar kundërshtarët e tij politikë si “të neveritshëm”. Në fjalimin e tij, Biden vuri në dukje përpjekjet e Trump për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

”Demokracia është ende kauza e shenjtë e Amerikës, është çështja më urgjente e kohës sonë dhe është se çfarë kanë të bëjnë zgjedhjet e 2024. Zgjedhja është e qartë. Fushata e Donald Trump ka të bëjë me të, as me Amerikën, as me popullin. Fushata e Donald Trump është e fiksuar me të kaluarën, jo me të ardhmen. Ai është i gatshëm të sakrifikojë demokracinë tone për të marrë pushtet”.

Ish-presidenti Trump, i cili kryeson garën mes republikanëve për emërimin si kandidat i kësaj partie, nuk e pranoi humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, duke bërë që mijëra mbështetës të tij të sulmonin Kapitolin më 6 Janar 2021.

Përpjekja e dështuar për të ndaluar certifikimin zyrtar të rezultatit rezultoi në vdekjen e pesë personave dhe plagosjen e dhjetra oficerëve të policisë.

Klan News